
Vepra, e porositur nga Wallabe, nënshkruar nga artisti i rrugës me famë ndërkombëtare, Ozmo, synon të jetë një metaforë për shpagimin, rilindjen dhe shpresën axurre.
Ndër shumë imazhet e Kampionatit Europian të futbollit të kësaj vere, një mbi të gjitha do të mbetet e gdhendur në zemrat dhe kujtimet e të gjithëve: përqafimi midis Roberto Mancini dhe Gianluca Vialli, pas pritjes vendimtare të penalltisë së fundit nga Donnarumma, e cila kurorëzoi italianët si fitues në “Wembley”.

Në atë përqafim, sipas porositësit dhe realizuesit të kësaj muraleje, kishte gëzim, zemërim, shpagim dhe rilindje. Në të përmblidhet gëzimi i një Europiani të sapo fituar, pas atij tashmë të zbehur nga kalimi i viteve më 1968.
Aty ishte zemërimi për një fatkeqësi të pafavorshme si pandemia e Covid-19, e cila mori mijëra jetë njerëzish në Itali, një ndër kombet e para të përkulura nga një virus i panjohur dhe i tmerrshëm.
Sigurisht, në konfigurimin e plotë të metaforës artistike, brenda gravurës së stërmadhe është edhe rilindja e një lëvizjeje futbolli, që deri pak vite më parë dukej se e kishte vdekur. Mjafton të kujtoni për këtë mbetjen jashtë Botërorit të Rusisë, më 2018, të kombëtares së kaltër.
Kuratorja e Wallabe, Federica Sansoni, besonte se bukuria, fuqia emocionale e atij gjesti duhet të ruhet dhe të përcillet përmes një projekti artistik. Prej këtu lindi puna, krijimi i realizuar nga Ozmo në muret e stadiumit “Bressan” në Adria.

I shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence në vitet 90-të, Ozmo iu përkushtua pikturës. Pastaj, më 2001, ai u transferua në Milano dhe, së bashku me një grup të vogël miqsh, hodhën themelet për atë që do të bëhej “Arti Italian i Rrugës”, disiplinë për të cilën është një nga pionierët e padiskutueshëm.
Ozmo ka kryer ndërhyrje monumentale të artit publik në kryeqytetet më të rëndësishme të artit bashkëkohor dhe urban në Itali dhe jashtë saj, duke përfshirë San Francisko, Nju Jork, Miami, Atlanta, Çikago, Londër, Berlin, Paris, Shanghai, Moskë, Sa Paulo, Fortaleza , Havana, Cape Verde, Lugano, Bejrut, Tunis, Milano, Romë, Ancona, Palermo, Bari, Torino.
Wallbe është një shoqatë kulturore jofitimprurëse, që kryen projekte të rigjenerimit urban dhe rizhvillimit territorial përmes gjuhës së artit, në këtë rast të artit në rrugë.





