Transmetuar më 23-08-2021, 02:46

Përhapja e shpejtë e variantit Delta të koronavirusit, sidomos gjatë këtij sezoni pushimesh, ka bërë që shumë shtete europiane të vendosin për rikthimin e masave kufizuese.

Nga 28 mijë raste që u shënuan në mes të qershorit, në gusht rastet në vendet e bllokut kanë shkuar përtej 600 mijë.

Nga dita e hënë, Spanja ka vendosur ta shpallë Gjermaninë zonë të kuqe për shkak të rritjes së numrit të të prekurve atje. Për Shqipërinë vijon lejimi pa asnjë kusht.

Spanjës, në të njëjtën mënyrë i është përgjigjur edhe Berlini. Masa kufizuese Gjermania ka vendosur ndaj mbretërisë spanjolle.

Po ashtu dhe ndaj personave që kalojnë nga ishujt e Greqisë, Kretë, Rodos, dhe Mykonos. Edhe ndaj Bullgarisë dhe Zvicrës masat kufizuese vazhdojnë të jenë të rrepta. Veç testit për shtetasit e tyre kërkohet dhe karantinim.

Gjermania gjithashtu ka shtuar SHBA-të në listën e zonave me rrezik të lartë. Duke filluar nga kjo e diel, udhëtarët nga SHBA-të duhet të vaksinohen ose të tregojnë se kanë një arsye të rëndësishme për të hyrë në territorin e vendit.

Nivelin e rrezikut ndaj Gjermanisë e ka rritur edhe Çekia, duke e shpallur zonë portokalli.

Zvicra që deri para pak ditësh lejonte futjen pa kushte, tani kërkon tampon PCR. Kërkohet edhe nga shqiptarët.

Për të udhëtuar drejt Italisë, shqiptarët duhet të paraqesin rezultatin e testit PCR 72 orë para nisjes ose testin antigjenik të 48 orëve të fundit, kjo vlen dhe për pasagjerët që janë të vaksinuar.

Për të gjithë pasagjerët që udhëtojnë në Greqi kërkohet një nga këto kritere: 1. Test COVID, ose 2. Një dëshmi që personi e ka kaluar ose 3. çertifikata e vaksininimit.

E ndërsa vaksinimi i popullsisë nuk ka dhënë efekte në uljen e shifrave të të prekurve me koronavirus, shumë shtete kanë kërkuar që të injektohet dhe një dozë e tretë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd