
Përjashtimi i Cristiano Ronaldos nga formacioni fillestar i Juventusit në ndeshjen e parë të Serie A, në transfertën me Udinese (2-2) ishte një zgjedhje teknike e Massimiliano Allegri, e pranuar pa problemin më të vogël nga portugezi.
36-vjeçari nuk mori pjesë as në ndeshjen testuese pararendëse kundër Juventusit U-23, sepse është i pari që e di se nuk është në 100%. Gjendja jo optimale është gjithashtu rezultat i një stërvitjeje të filluar vonë, pas Kampionatit Europian.
Mes tifozëve bardhezinj, megjithatë, lajmi i nisjes së ndeshjes nga stoli prej Cristiano Ronaldos ka shkaktuar debate. Dikush ka frikë nga lamtumira e tij, të tjerët tashmë po mendojnë se kush mund ta zëvendësojë në rast largimi: Icardi dhe Gabriel Jesus më të përfolurit, por tregu i transferimeve fsheh surpriza dhe pasiguri tani për tani.

Sidoqoftë, pas barazimit 2-2 ndaj Sampdorias, ku portugezit iu mohua një gol nga VAR-i në minutën e 94-t, mbështetësit e Juventusit i qetësoi zv.presidenti Pavel Nedved: "Ne kemi ndjesi të mrekullueshme.
Trajneri dhe stafi punuan shumë mirë, edhe nëse ishin vetëm 20 ditë, sepse disa lojtarë u kthyen më 2 gusht. Jemi shumë entuziastë. Përjashtimi i Cristiano Ronaldos nga formacioni startues? Ishte një zgjedhje e përbashkët me lojtarin. Jemi në fillim të sezonit, nuk mund të jemi në krye. Ishte një vendim për të mirën e ekipit.
Edhe Chiellini, një kampion europian, e filloi nga stoli, sepse janë bashkuar vonë në stërvitje. A do të mbetet CR7 te Juventusi? Absolutisht po. Merkatoja? Cherubini tashmë ka bërë dy operacione të mrekullueshme".





