
Personi që shikoni në foto është Rael Luli, efektivi 27 vjeçar i Forcave Speciale RENEA dyshohet se qëndronte në krye të grupit që shpërndante kokainë në disa zona të Tiranës.
Ai u arrestua dje bashkë me 4 persona të tjerë, pas një operacioni të nisur nga SHÇA, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit dhe Policinë.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, SHÇBA njoftoi se kishte shoqëruar në kushtet e flagrancës 5 persona, mes tyre dhe efektivi i RENEAS, ndërsa operacioni po vijonte dhe në përfundim të tij do të ketë deklaratë të plotë.
Grupi vepronte kryesisht në zonën e njohur si “Parku i autobusave”, Kombinatit, Misto Mame, Yzberisht dhe Qyteti i Nxenesve, në Tiranë. Nga Policia, janë sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara si kokainë dhe kanabis, para dhe armë.
Në përfundim të hetimeve mbi operacionin e datës 20.08.2021 të SHÇBA mbi goditjen e një grupi të shpërndarjes së lëndëve narkotike me 5 të shoqëruar në kushtet e flagrancës, mes tyre 1 punonjës policie, Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Tiranë, në funksion të procedimit penal nr. 5520 të vitit 2021, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka kryer hetime në një periudhë kohore disa mujore me metoda speciale hetimi.
Si rezultat i tyre, ka realizuar goditjen e një grupi kriminal të tregtimit të lëndëve narkotike që vepronin kryesisht në qytetin e Tiranës.
Në datën 20.08.2021 rreth orës 19:30 në zonën e quajtur “Ish-Parku i autobusave”, në territorin e Njësisë Bashkiake nr. 7 të qytetit të Tiranës, u konkludua dhe u bë ndërhyrja për ekzekutimin dhe arrestimin në flagrancë të 5 të rinjve.
Ndalimi dhe arrestimi i tyre vjen si rezultat i dokumentimit me prova ligjore të veprimtarisë së tyre të kundraligjshme që ata kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Nga kontrolli i realizuar në ambiente dhe banesat që dispononin u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale sende dhe objekte të kundraligjshme si: 434 gr kokainë; 576 gr kanabis, e ambalazhuar; 100.6 gr lëndë narkotike e llojit “Ekstazy” e ambalazhuar; 18.2 gr fara të dyshuara për kultivimin e bimëve narkotike; 7 peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike; Vlera monetare 11,890 euro; 3 armë zjarri të llojit pistoletë të markave BRUNI e GLOCK; Një krehër metalik brenda së cilës ndodheshin 20 fishekë Mod 56; 219 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme; 1 automjet tip Benz; 7 aparate celularë; Një pajisje me mbishkrimin “GRANADE FLASH-BANG BRZ-M93 P1 TM-1403”, së bashku me mekanizmin e saj metalik tip mashe; 2 motoçikleta (pa targa).
Vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin dhe implikimin e mundshëm edhe për subjekte të tjera të përfshirë në këtë veprimtari.
Më herët u tha se në vijim të një procedimi proaktiv nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës dhe me mbeshtetjen e operacionale te DVP Tirane, është finalizuar operacioni për goditjen e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës në qytetin e Tiranës, i cili dyshohet se drejtohej nga një punonjës policie i forcave speciale”, njoftonte SHÇBA, bashkë me inicialet e të arrestuarëve:
– Rael Luli, 27 vjeç, punonjës policie pranë repartit special RENEA;
– J.L., 30 vjeç;
– G.H., 26 vjeç;
– G.S., 27 vjeç;
– E.S., 26 vjeç.






