Transmetuar më 20-08-2021, 23:34

Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbulojë të gjitha shpenzimet për afganët që do të strehohen në vende të ndryshme të botës – përfshirë edhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni – derisa të përfundojnë procedurat ligjore që ata të vendosen në SHBA.

Kështu u tha në një takim të organizuar nga Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy R. Sherman dhe Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një njoftim për media nga zyra e Kurtit, thuhet se në takim me përfaqësuesit e dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, SHBA-ja shprehu “vlerësimin e thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovës, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Nga shtetet e rajonit, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shprehur të gatshme që të strehojnë afganët që kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së, të NATO-s dhe që kanë punuar për organizata të huaja.

Shqipëria ka bërë gati çadra në Rinas dhe 8 godina në Qytetin Studenti për të strehuar afganët që pritet të vijnë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd