
Shtatori rikthen emocionet e kualifikueseve të “Katar 2022”. Edhe kombëtarja shqiptare do të jetë e impenjuar në tri ndeshje zyrtare mjaft të rëndësishme, të vlefshme për kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Si fillim, kuqezinjtë do të luajnë kundër Polonisë në transfertë, më 2 shtator, pastaj pret Hungarinë dhe San Marinon më 5 dhe 8 shtator, respektivisht.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy ndeshjet brenda do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, në ndryshim nga ndeshja me Anglinë e muajit mars që u luajt në stadiumin “Air Albania”.
Shkak i këtij spostimi të paparashikuar është investimi për rinovimin e fushës së stadiumit në kryeqytet. Investimi parashikon një tapet të ri hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, që pritet të jetë gati në mesin e muajit e shtator.
Sakaq, FSHF bën me dije se biletat për dy ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos do të dalin në shitje ditën e shtunë, datë 21 gusht 2021. Për detaje në lidhje me biletat publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare të FSHF-së në rrjetet sociale.





