Transmetuar më 18-08-2021, 15:44

Ajo e ‘Papu’ Gomez me Atalantën ishte një histori e madhe dashurie, por pa fund të lumtur. Simboli i padiskutueshëm i ekipit zikaltër për më shumë se gjashtë vite, kampioni argjentinas, e pa aventurën e tij në Bergamo të ndërpritej befas, në fund të janarit.

“Dhurata” e tij quhet Seville, por lamtumira e tij me “Hyjneshën” është ende e diskutueshme. Muaj më parë u fol për një thyerje të pashërueshme mes tij dhe Gian Piero Gasperini, në bazë të zgjedhjes së tij për të ndryshuar skuadër. Megjithatë, në një intervistë për ‘La Nación’, ai zbuloi se si ishte në fakt një përplasje e ashpër me trajnerin e tij, çka çoi në vendimin e bujshëm të largimit.

Ajo që i nxiti të gjitha ishte çfarë ndodhi gjatë një ndeshjeje të Champions-it, kundër Midtjylland: "Unë bëra diçka të gabuar, supozoj, sepse në një ndeshje të Ligës së Kampionëve nuk iu binda një urdhëri taktik të trajnerit. Kishin mbetur dhjetë minuta nga pjesa e parë dhe trajneri më kërkoi të lëvizja në të djathtë, ndërsa unë isha shumë mirë në të majtë. Pra, i thashë ‘jo’.

E imagjinoj se përgjigjja refuzuese, në gjysmë të ndeshjes dhe para kamerave, krijoi situatën e përsosur që ai të zemërohej. Në atë moment kuptova se do të zëvendësohesha në fund të pjesës së parë dhe kështu ndodhi. Në dhomën e zhveshjes, megjithatë, trajneri i tejkaloi kufijtë; u përpoq të më sulmonte fizikisht.

Aty thashë mjaft. Mund ta argumentojmë me fjalë qasjen tonë, por agresioni fizik është i patolerueshëm. Kështu që kërkova takim me presidentin Antonio Percassi dhe i thashë se nuk do të kisha probleme për të ecur përpara. E kuptova që kisha gabuar, se si kapiten nuk isha sjellë mirë dhe se kisha qenë një shembull i keq duke mos iu bindur trajnerit, por gjithashtu i thashë se doja të kërkonte falje edhe Gasperini”.

Kërkim-falja e trajnerit me sa duket nuk mbërriti kurrë: "Të nesërmen e përplasjes pati një takim mes gjithë ekipit. I kërkova falje trajnerit dhe shokëve të skuadrës për incidentin, por nuk mora asnjë falje prej tij. Si duhej ta kuptoja këtë? Isha gabim vetëm unë dhe ai bëri diçka të drejtë? Gjithçka filloi prej aty. Pas disa ditësh i thashë presidentit se nuk doja më të punoja me Gasperinin tek Atalanta. Ai u përgjigj se nuk do të më linte të largohesha. Pastaj filloi një luftë e heshtur, për të cilën pagova përjashtimin nga skuadra e parë”.

Për Gomez nuk ishte mënyra më e mirë për ta mbyllur parantezën më të rëndësishme të karrierës së tij: “Ishte mbyllje e keqe, pasi dhashë gjithçka për klubin. Ata u sollën keq. Presidenti nuk kishte ‘tope’ për t’i kërkuar trajnerit të më kërkonte falje. Kështu përfundoi gjithçka. Por kjo nuk ishte e tëra, pasi dyert e futbollit italian u mbyllën aty për mua. Ata nuk donin të më dërgonin në Serie A, te ndonjë emër i madh, sepse thanë se do të forcoja rivalët. Falë Zotit mbërriti Sevilla dhe më lejoi të vazhdoj të konkurroj në nivele të larta, duke luajtur edhe në Kupën e Amerikës. Ky ishte obsesioni im”.

Sulmuesi argjentinas donte të tregonte versionin e tij të ngjarjeve: “Njerëzit nuk e dinë se çfarë ka ndodhur. Unë thjesht po flas për to tani, për herë të parë. Tifozët e meritojnë të vërtetën, e meritoj edhe unë. Mendoj se qëllimi i Atalantës ishte që të ma ngarkonte të gjithë fajin. Shumë njerëz u zemëruan me mua, sepse menduan se doja të largohesha, por kjo nuk është e vërtetë. Tani është koha që fansat të dinë të vërtetën”.

Përgjigja e Gian Piero Gasperini ndaj fjalëve të ashpra të lëshuara nga Alejandro Gomez nuk vonoi. Trajneri i Atalantës ia besoi përgjigjen e tij “La Gazzetta dello Sport”: "Sjellja dhe qëndrimet e Gomez, brenda dhe jashtë fushës, ishin bërë të papranueshme për trajnerin dhe shokët e tij të skuadrës. Sulmi fizik ishte i tiji, jo i imi, por arsyeja e vërtetë që ai u largua nga Bergamo është sepse nuk i respektoi seriozisht pronarët e klubit, presidentin. Shpresoj që Gomez të vazhdojë të flaës me paraqitjet e tij, siç bëri tek Atalanta".

Kush e di nëse do të jetë akti i fundit në një histori që shënoi fundin më të keq të mundshëm, të asaj që ishte një idil i jashtëzakonshëm për shtatë vite.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd