
Dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova, kanë pranuar kërkesën e SHBA për të pranuar një pjesë të atyre afganëve, që ikin nga vendi i tyre prej talebanëve.
Këta të fundit morën në kontroll vendin së fundi, teksa kanë vënë në shënjestër të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me amerikanët tash 20 vite. Ka pasur shumë dilema për numrin e atyre që do të mbërrijnë në Shqipëri kësaj jave, për t’u sistemuar në Qytetin Studenti dhe në disa hotele të Durrësit, por tymnajën e ka larguar kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë për median spanjolle, kreu i ekzekutivit shqiptar zbulon se vendi ynë do të marrë një grup të parë me rreth 1.000 azilkërkues afganë këtë javë.

Si hyrje të intervistës me Ramën, konkretisht “EL PERIÓDICO” shkruan: “Shqipëria dhe Kosova, dy vende të vogla në Europën juglindore, këtë javë e kanë vendosur veten në ballë të pritjes së refugjatëve afganë, duke njoftuar se kanë pranuar kërkesën e qeverisë amerikane për të strehuar një pjesë të të shpërngulurve, që po i shpëtojnë kryengritjes talibane.
Një nismë e kritikuar nga disa sektorë të të dyja vendeve, por që kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, e kanë mbrojtur energjikisht në publik. Në një manovër që më vonë është imituar nga vendet e tjera të Ballkanit…”





