
Pas një negociate të gjatë, përfundimisht është arritur qëllimi: Manuel Locatelli do të jetë lojtar i Juventusit. Klubi bardhezi arriti marrëveshje me Sassuolo pas takimit të drekës së djeshme mes klubeve: huazim me detyrim blerjeje të pakushtëzuar prej 35 milionë eurosh, midis pjesës fikse dhe bonuseve.
Vendimtar për gjetjen e marrëveshjes ishte vullneti i lojtarit, i cili kurrë nuk e fshehu dëshirën e tij për të kaluar te bardhezinjtë. Qëllimi i Juventusit tani është të zyrtarizojë gjithçka sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që lojtari të vihet në dispozicion të Massimiliano Allegri për kampionatin.

Po kështu, dje u zyrtarizua edhe Kaio Jorge si lojtar i ri i Juventusit. Pasi kishte arritur tashmë në Torino që më 4 gusht dhe kishte kaluar ekzaminimet mjekësore, braziliani u bashkua me grupin e Allegrit, ku do të rivalizojë për një vend në formacion, me rivalë në rolin e tij Cristiano Ronaldo, Morata dhe Dybala. Për të hyri në fuqi kontrata deri më 30 qershor 2026.
Ja njoftimi për shtyp i “Zonjës së Vjetër” me këtë rast: "Një talent i ri i bashkohet skuadrës sonë. Ai vjen nga Brazili dhe ka evoluar vazhdimisht në karrierë. Kaio Jorge është një lojtar i ri i Juventusit. Sulmuesi brazilian, i lindur më 2002, arrin nga Santos dhe nënshkruan një kontratë deri më 30 qershor 2026”.





