
Thashethemet për të ardhmen e tij e dërgojnë nga pak kudo në Europë. Te PSG, pastaj te Manchester City, Real Madridi, me mohimin kategorik të Carlo Ancelotti për kthimin e tij në “Bernabeu”. Prandaj, Cristiano Ronaldo ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të flasë.
Përmes profilit të tij në Instagram, portugezi i Juventusit ka publikuar një mesazh të gjatë në lidhje me tifozët e “Los Blancos” dhe "muhabetin" e orëve të fundit: "Kushdo që më njeh e di se sa i fokusuar jam në punën time. Më pak fjalë dhe më shumë punë, kjo ka qenë motoja ime udhëzuese që nga fillimi i karrierës. Megjithatë, në dritën e të gjitha atyre që janë thënë dhe shkruar kohët e fundit, unë duhet të ekspozoj më shumë sesa mosrespektimi për mua si njeri dhe si lojtar.
Mënyra joserioze me të cilën mbulohet në media e ardhmja ime është mosrespektuese ndaj të gjitha klubeve të përfshira në këto thashetheme, si dhe ndaj lojtarëve dhe stafeve të tyre. Historia ime te Real Madrid është shkruar dhe regjistruar. Në fjalë dhe numra, në trofe dhe tituj, në rekorde dhe çmime individuale. Është në muzeun e stadiumit ‘Bernabeu’, është gjithashtu në mendjen e çdo tifozi të klubit.

Dhe përtej asaj që arrita, mbaj mend se në ato nëntë vite kisha një marrëdhënie me dashuri dhe respekt të thellë për tifozët Merengues. Një dashuri dhe respekt e që kam ende sot dhe që do ta çmoj gjithmonë. E di që tifozët e vërtetë të Real Madridit do të vazhdojnë të më kenë në zemrat e tyre, dhe unë do t’i kem ata në timen.
Përveç këtij episodi më të fundit në Spanjë, ka pasur lajme dhe histori të shpeshta që më lidhin me një numër të klubeve në shumë liga të ndryshme, pa u shqetësuar askush që të përpiqet të zbulojë të vërtetën. Unë po e thyej heshtjen tani për të thënë se nuk mund t’i lejoj njerëzit të vazhdojnë të luajnë me emrin tim. Unë qëndroj i fokusuar në karrierën dhe punën time, i përkushtuar dhe i përgatitur për të gjitha sfidat me të cilat përballem. Të gjitha të tjerat? Çdo gjë tjetër është vetëm thashethem".
Kështu, Ronaldo mohon kategorikisht kthimin e tij të mundshëm te Real Madridi, duke i përcaktuar zërat për të si "llafe" dhe vëmendjen e mediave për të ardhmen e tij si "mosrespektuese". Një e ardhme që padyshim do të jetë ende subjekt i diskutimeve të merkatos, por që do të ballafaqohet me qetësi dhe qartësi. Çka kërkon vetë portugezi dhe është në kontrast me atë që ka ndodhur në orët e fundit.





