Transmetuar më 17-08-2021, 17:15

Një lajm i bujshëm i mediave spanjolle dhe italiane, që nuk ka gjetur konfirmim, sepse u mohua menjëherë nga njëri prej dy të përfshirëve drejtpërdrejt.

"Cristiano Ronaldo është një legjendë e Real Madridit, – shkroi Carlo Ancelotti në Twitter. – Ai ka gjithë dashurinë dhe respektin tim, por unë kurrë nuk jam përpjekur të nënshkruaj me të. Le të shohim përpara".

Sipas programit televiziv spanjoll “El Chiringuito de Jugones”, trajneri italian kishte kontaktuar me përfaqësuesit e sulmuesit të Juventusit me shpresën për ta kthyer atë përsëri në Madrid. Diçka që ka rezultuar e pavërtetë.

Sigurisht, në kushtet kur presidenti Florentino Perez ia kishte mbyllur dyert e kthimit në “Bernabeu” para më shumë se dy muajsh, nuk mund të dilte sipër “bosit” të bardhë trajneri.

Interesant është një koment i lënë poshtë këtij “tweett” të Ancelottit, me autore partneren e CR7, Georgina Rodriguez: “Jajajaja”. Pra, një e qeshur e madhe e saj, si shenjë ironie ndaj qëndrimit të shpejtë refuzues të trajnerit të Real Madridit.

Mesa duket, partneres së yllit portugez, por edhe vetë CR7 nuk i ka pëlqyer shprehja e Ancelottit: “Shohim përpara”. Kjo nënkupton se nuk ka më vend për “xhaketa të kthyera” te të bardhët…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd