
“Talebanët kanë thënë se do t’i lënë gratë të punojnë dhe studiojnë. A e besoj? Nuk e di. Unë di vetëm se një grup vajzash nga Herati, që i njoh, sapo ra qyteti, shkuan te përfaqësuesi lokal i studentëve të Kuranit dhe i kërkuan atij siguri. Por ai ua mohoi lejen për të bërë asgjë. Përfshirë shkuarjen në universitet ose në punë”.
Mahbouba Seraj është një nga aktivistet më të njohura në Afganistan. Ajo është 73 vjeçe dhe ka parë shumë. "Unë jam e shqetësuar, por të mos harrojmë se këto gra tani janë lënë vetëm nga ata që thanë se donin t’i çlironin”, – shpjegon ajo për “Corriere della Sera”.
Ndërkohë, dy motra nga Kabuli i thanë gazetës së njohur italiane se janë izoluar në një vend të fshehtë nga frika se mos përfshihen në listat e grave beqare, të cilat, siç përflitet, talebanët po i regjistrojnë si "lodra seksi" duke shkuar derë më derë. Ato janë duke pritur që dikush t’i ndihmojë.
Dhe ndërsa zinxhiri i solidaritetit përpiqet të aktivizohet, duke u përpjekur të marrë një studente nga Universiteti i Kabulit, i njëjti mbi të cilin talebanët ngritën flamurin e bardhë, ajo shkruan në “The Guardian”: "Sot, ndërsa po kthehesha në shtëpi, hodha një vështrim në sallonin e bukurisë ku shkoja për manikyr.

Pjesa e përparme e dyqanit, e zbukuruar me fotografi të bukura të vajzave, ishte zbardhur gjatë natës. Gjatë gjithë jetës sime kam luftuar kundër imazhit të gruas afgane si një figurë pa fytyrë, e mbuluar me një leckë blu. Asnjëherë nuk kam menduar se do të vishja një të tillë”, – shpjegon ajo, ndërsa radha në Kabul dhe Herat për të blerë burka tani zgjat më shumë.
Mes popullsisë së Kabulit ka edhe nga ata presin të largohen sa më parë. "Unë jam në aeroport, pres të marr një avion, por nuk e di për ku, – shpjegon Tajik, një analist 22-vjeçar, i cili punonte për një kontraktues amerikan që ndihmon kompanitë afgane. – Si do t’i kaloj ditët e mia? Kush do ta mbajë familjen time?”
Tajik u telefonua të dielën pasdite, i thanë se kishte 10 minuta kohë për t’u larguar. Ai ishte vendosur në një listë evakuimi drejt SHBA ose Meksikës. Nuk i mjatoi kaq kohë as për t’iu thënë lamtumirë prindërve që mbetën në Herat. Kështu ai u largua nga apartamenti që ndau me një mik në Kabul, mori disa rroba, një laptop dhe telefonin: "Tani ëndrrat dhe projektet e mia janë të gjitha brenda këtij çante shpine".
Duke ikur e dëshpëruar dhe postuar videon në Facebook shfaqet edhe regjisorja Sahraa Karimi, autore e filmit "Hava, Maryam Ayesha", kushtuar aspekteve të diskutueshme të mëmësisë në Afganistan , i cili garoi në Venecia në vitin 2019. Javët e fundit Karimi shkroi një letër të hapur, duke kërkuar mbrojtje për regjisoret femra afgane: "Nëse talebanët marrin kontrollin, unë dhe artistët e tjerë do të jemi të dytët në listën e tyre të zezë".
Edhe gazetarët kanë qenë në shënjestër për një kohë të gjatë. OJQ-të si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tani kanë filluar të punojnë. "Kur Kabuli ra, mora një telefonatë nga vëllai im, i cili më pyeti: Ku je? Duhet të kthehesh menjëherë në shtëpi”, – tha një spikere e rëndësishme televizive afgane për “The Guardian”.
Sidoqoftë, gratë afgane nuk janë vetëm ato të Kabulit. Shumë as nuk dinë të shkruajnë dhe gjithashtu kanë nga 11 fëmijë secila. "Këtu gratë vijnë për të punuar me burkë", – shpjegoi Francesca Gigliotti, drejtuese e spitalit të Mjekëve pa Kufij në Khost, vetëm një muaj më parë, kur talebanët ende dukeshin një makth i largët: "Pra, ato kanë leje për të punuar, por nuk mundet, për shembull, të kenë një llogari bankare në emrin e tyre".
Për shumicën e tyre, problemi nuk qëndron aq shumë se kush mban pushtetin në Kabul se sa çfarë të servirin në pjata në fund të ditës. Por ka një gjë që të gjitha gratë e takuara në vend vitet e fundit e kanë përsëritur, nga çdo prejardhje shoqërore dhe në çdo rajon. "Vajzat duhet të jenë në gjendje të studiojnë. Një e drejtë që, – thekson Seraj, – nuk do të garantohet domosdoshmërisht nga studentët e Kuranit.





