
Merkatoja e kësaj vere në futboll ka ende shumë për të përcaktuar. “Bomba” e Messit nuk do të jetë e fundit dhe rivali i tij i madh në dekadën e fundit, Cristiano Ronaldo, është i paqartë nëse skuadra e tij aktuale, Juve, do të jetë vendndodhja e fundit gjatë sezonit që fillon në Itali së shpejti. Drejtuesit e klubit italian dyshojnë, CR7 dyshon dhe merkatoja po pret atë që mund të jetë lëvizja e parafundit e madhe e periudhës verore 2021.
Juve nuk i shpëtoi krizës ekonomike që po përjetojnë shumë klube të tjera europiane dhe që është reflektuar në largimin e Leo Messit nga Barcelona. Merkatoja nuk ka përfunduar ende dhe bardhezinjtë po kërkojnë zgjidhje, të cilat nuk mund t’i gjejnë për momentin. Menaxhmenti i ri sportiv ka verifikuar ekzistencën e kontratave shumë të komplikuara të lojtarëve aktualë. Përballë këmbënguljes së Allegrit për të forcuar ekipin, veçanërisht me nënshkrimin e Locatelli dhe Pjanic, drejtuesit duken të dorëzuar.
Qasja e Cristianos ndaj Real Madridit
Paolo Morganti, drejtor i operacioneve dhe i sapoardhur në punë, ka hasur në një situatë të vështirë. Dëshira e trajnerit për të forcuar ekipin përplaset me realitetin. Cristiano Ronaldo nuk i shpëton realitetit, Juve nuk po kalon momentin e tij më të mirë. Muaj më parë provoi një qasje për kthimin e tij të mundshëm te Real Madridi, por në “Bernabeu” nuk ia dhanë mundësinë. Megjithatë, Ancelotti ngulmon për këtë. duke e njohur mirë 36-vjeçarin.

Messi ia mbylli derën e PSG-së
Opsioni i dytë aktiv ishte mundësia e PSG-së, një klub që ka qenë shumë i vëmendshëm ndaj lëvizjeve të Messit dhe CR7 në muajt e fundit. Mbërritja e argjentinasit në Paris ia ka mbyllur portugezit derën e “Parc des Princes”. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk ka marrë asnjë propozim tjetër, që e ka konsideruar interesant. Në gjestet e tij tregon se nuk ndihet fare rehat, por geni konkurrues i yllit portugez do ta bëjë atë të konkurrojë në maksimum në secilën ndeshje.
Manchester United, një tjetër opsion që bie
Manchester United gjithashtu dukej se ishte interesuar për sulmuesin portugez, por tani drejtuesit nga “Old Trafford” po zgjidhin të ardhmen e Pogba, ose duke rinovuar, ose duke u përgatitur për largimin e tij nga klubi.
Viti i tij i fundit i kontratës me Juve
Në Torino besojnë se largimi i portugezit mund të nënkuptojë një ndryshim pozitiv të peizazhit për klubin. Ata e dinë rëndësinë e sulmuesit, por largimi i tij do të lironte një shumë të konsiderueshme parash për të ndërmarrë reformën ose ndryshimet që kërkon Allegri, në kthimin e tij te Juventusi.
Problemi që ata po hasin nuk është tjetër veçse mungesa e propozimeve për CR7. Merkatoja mezi po ofron ndonjë lëvizje të madhe dhe klubet duket se janë të gatshëm të presin deri në minutën e fundit.
Juve dhe CR7 kanë dy javë kohë për të gjetur një përfundim të një historie që filloi në verën e vitit 2018 dhe mund të përfundojë më herët se pritej. Pandemia dhe menaxhimi i dyshimtë po dënon shumë klube dhe futbollistë në situata të padëshiruara.





