Transmetuar më 16-08-2021, 18:45

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot për “The Guardian”, lidhur me pranimin e kërkesës së SHBA për të strehuar qindra afganë, të cilët rrezikohen nga talebanët.

Rama është shprehur për medien britanike se Shqipëria do të presë emigrantët nga Afganistani, pasi e di se si është të jetosh nën një diktaturë.

"Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë”, është shprehur Rama.

Më tej, kryeministri Rama ka sulmuar vendet e mëdha, teksa është shprehur se “nuk e kuptoj, se si vendet më të pasura mund t’i kthejnë shpinën këtij problemi”, duke shtuar se “kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë”.

Në reagimin e tij për britaniken The Guardian, kreu i ekzekutimit ka thënë se Shqipëria nuk mund të zgjidhë problemin por do të bëjë pjesën e saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd