
Thibaut Courtois rinovon me Real Madridin deri më 30 qershor 2026. Klubi i bardhë njoftoi sot përmes një deklarate zyrtare se portieri belg zgjati kontratën e tij me mbretërorët madrilenë edhe për pesë sezonet e ardhshme.
Në fakt, portieri është në “Santiago Bernabeu” që nga sezoni 2018-2019, kur mbërriti nga Chelsea për shumën e 35 milionë eurove.
Comunicado Oficial: Courtois.#RealMadrid | #Courtois2026
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) August 16, 2021
Në tri sezonet e tij të deritanishme me “Los Blancos”, belgu ka qenë një lojtar kyç dhe titullar i padiskutueshëm. Ai ka marrë pjesë në gjithsej 130 ndeshje, në të cilat ka pësuar 125 gola.
Courtois e luajti ndeshjen e tij të 100-të në La Liga me Real Madridin kundër Alavés, fundjavën e kaluar. Në fund të ndeshjes, portieri mori një fanellë përkujtimore me numrin “100” nga presidenti Florentino Pérez.
"Është një nder shumë i madh. Unë jam në klubin më të fortë në botë dhe do të përpiqem të arrij më shumë. Të luaja ndeshjen e 100-të në La Liga me këtë fanellë është shumë e rëndësishme, edhe ta fillonim kampionatin e ri me fitore," – tha ai për mediat e klubit të bardhë.





