Transmetuar më 15-08-2021, 18:35

Një përfaqësi e talebanëve kishte hyrë në negociata prej disa kohësh me qeverinë dhe presidentin Ghani dhe kishin rënë dakord që të kishte një kalim paqësor të pushtetit.

Talebanët raportuan se e respektuan marrëveshjen. Ata thanë se hyrja të dielën në Kabul u bë në qetësi dhe forcat e saj ishin energjike në ruajtjen e rendit duke iu frikësuar plaçkitjeve të mundshme.

Edhe ministri i Brendshëm në detyrë i qeverisë së Ghanit, pohoi se marrëveshja ishte që të ketë kalim paqësor të pushtetit.

Në vijim sot pasdite, një zëdhënës i talebanëve njoftoi se janë duke marrë pushtetin në paqe pas marrëveshjes me presidentin dhe se nuk do të ketë asnjë hakmarrje.

Një zëdhënës i talebanëve tha se luftëtarët e tyre janë urdhëruar të hyjnë në qytet për të parandaluar plaçkitjen. Ata gjithashtu u urdhëruan të lejojnë kalim të sigurt për këdo që dëshiron të largohet.

Negociatori taleban Suhail Shaheen foli sot me BBC për t’i thënë njerëzve të Kabulit se "jeta e tyre është e sigurt".

"Ne i sigurojmë njerëzit në Afganistan, veçanërisht në qytetin e Kabulit, se pronat e tyre, jeta e tyre është e sigurt – nuk do të ketë hakmarrje ndaj askujt", tha ai.

"Ne jemi shërbëtorë të njerëzve dhe të këtij vendi", shtoi ai, raporton noa.al. 

Pak minuta më parë, talebanët u futën në pallatin presidencial. Por ai ishte bosh. Presidenti Ghani u largua nga vendi herët të Dielën duke ikur në Taxhikistan. Të njëjtën gjë bëri dhe zëvendësi i tij.

Sipas gazetarit lokal Bilal Sarwary i cili foli me dy afganë të përfshirë në negociata të drejtpërdrejta, pjesë e marrëveshjes ishte që Ghani të bashkohej me ceremoninë e kalimit të pushtetit brenda pallatit – por në vend të tij ai dhe ndihmësit e tij të lartë u larguan nga vendi.

"Punonjësit e pallatit më pas u larguan dhe pallati u la bosh", tha gazetari.

Abdullah Abdullah, kryetar i Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtimin Kombëtar, ka konfirmuar se Presidenti Ashraf Ghani është larguar nga vendi.

Këshilli i Lartë për Pajtimin Kombëtar u krijua për të negociuar me elementët e talebanëve.

Duke e përshkruar atë si "një ish -president", Abdullah tha se Ghani "e kishte lënë kombin në një situatë të tillë".

"Zoti do ta mbajë atë përgjegjës dhe kombi gjithashtu do të gjykojë," tha ai, në një video në Facebook.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd