
Quiqe Setien mbërriti në “Camp Nou” në janar 2020 si një zgjidhje për “shuarjen e zjarrit”, si zëvendësues i Ernest Valverde, por mandati i tij zgjati vetëm deri në gusht, me atë humbje të rëndë 8-2 ndaj Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.
"Ajo që gjeta në Barcelonë nuk e kisha parë gjatë karrierës sime 40-vjeçare në futboll. Dhoma e zhveshjes nuk ishte e lumtur dhe kishte humbur plotësisht interesin për stërvitje", – tha Setien për mediat spanjolle.
Komenti i tij në lidhje me Lionel Messin ishte gjithashtu interesant. Gjegjësisht, 62-vjeçari thotë se shpesh pyeste veten nëse kishte nevojë për një lojtar të tillë:
"Unë e kam pyetur veten shumë herë nëse kisha nevojë për një 10 si ai, për të zgjidhur dy ndeshje me aftësitë e tij, por nuk mbronte fare. Messi nuk vraponte, kështu që ne do të pësonim gol si rezultat. Ky ishte një problem serioz, – shtoi Setien, i cili u largua nga “Camp Nou”, pa fituar trofe.
– Ne e humbëm kampionatin për shkak të gjyqtarëve që gjykuan gjashtë penalltitë e Realit". Setien regjistroi 16 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje me Barçën, në 25 ndeshjet që ai drejtoi ekipin.





