
Sipas “The Times”, UEFA po shqyrton futjen e një sistemi të ngjashëm me atë të përdorur nga NBA dhe NFL, i cili do të përfshinte kufijtë e pagave dhe taksat e “luksit”. Me një fjalë, futbolli europian mund të përballet me një nga ndryshimet më të rëndësishme në vitet e fundit. UEFA thuhet se po merr parasysh një rishikim të rregullave të “Fair Play Financiar” (FFP).
"Sipas sistemit të planifikuar, klubet në garat europiane do të kufizoheshin në shpenzimin e një përqindjeje fikse të të ardhurave të tyre, ndoshta 70 për qind, për paga, – thuhet në artikullin e “Times”. – Çdo klub që shkel kufirin do të duhet të paguajë një taksë luksi, sipas së cilës ekuivalenti ose më shumë nga çdo shpenzim i tepërt do të shkojë në një fond të posaçëm për t’u rishpërndarë".
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin është një përkrahës i apasionuar i sistemit sportiv amerikan dhe ka kohë që po mendon se si të futë një stil të ngjashëm në futbollin europian.
Tani duket se propozimi do të paraqitet në konventën e ardhshme të UEFA-s, në Zvicër (shtator), ku pjesëmarrësit do të kenë votën e tyre për një masë që mund të revolucionarizojë futbollin e klubeve europiane. Nëse sistemi i ri miratohet, ai do të hyjë në fuqi në sezonin 2022-2023.

Sistemi i ri shihet si më transparent se FFP. Ai do të zëvendësojë rregullat e FFP, që kanë qenë në fuqi për 11 vitet e fundit. Shumë palë të interesuara gjatë viteve kanë kritikuar sistemin FFP për mungesën e dukshme të efektivitetit, gjë që ka bërë që UEFA të marrë në konsideratë rishikimin e tij.
“The Times” raporton se burime pranë propozimit besojnë se sistemi i taksave të luksit është shumë më transparent sesa rregullat aktuale të FFP.
Sigurisht, sistemi i ri së pari do të duhet të miratohet në konventën e ardhshme të shtatorit mbi të ardhmen e futbollit europian, e cila vjen pasi UEFA bëri ndryshime drastike disa muaj më parë me heqjen e rregullit të golave jashtë fushe, që hyri në fuqi në garat e këtij sezoni.





