
Juventusi po përgatit fillimin e sezonit të ri në “Continassa”, me Massimiliano Allegri, i cili ka qenë në gjendje të stërvisë të gjithë grupin për dy javë, pas kthimit të legjionarëve nga ekipet kombëtare dhe pushimet.
Ekipi bardhezi tani po stërvitet plotësisht, me vetëm Rabiot ende jashtë, pas problemit me lëndimin. Ai synon të kthehet për javën e dytë të kampionatit kundër Empolit. Kohët më të gjata rikthimi për Arthur, i cili vazhdon rehabilitimin pas operacionit.
Giorgio Chiellini ishte gjithashtu i pranishëm në mesin e lojtarëve të fundit që u kthyen në “Continassa”. Kapiteni, para se të mbërrinte në qendrën sportive, shkoi në selinë e Juventusit, ngjitur me terrenin stërvitor, për të nënshkruar kontratën e re që do ta lidhë atë me “Zonjën e Vjetër” edhe për dy vite.

Një “martesë” shumë e gjatë, me kapitenin e Juventusit i cili, pas fitores së Kampionatit Europian, do të dëshirojë të shkëlqejë në Itali dhe të përpiqet të sjellë Ligën e Kampionëve në Torino. Falë fitores së Kampionatit Europian, ku luajti si protagonist, edhe për sezonin e mrekullueshëm me fanellën bardhezi, numri 3 u përfshi në mesin e dhjetë kandidatëve për çmimin e “Këmbës së Artë” 2021.
Ky trofe prestigjioz përcaktohet nga tifozët dhe entuziastët e futbollit kudo, duke votuar në faqen zyrtare “goldenfoot.com” deri më 31 tetor 2021. Ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe vendosja e gjurmëve të këmbëve të çmimit të 19-të të “Këmbës së Artë” do të zhvillohet të martën, 9 nëntor 2021 në Principatën e Monakos.
Çmimin prestigjioz e fitoi vitin e kaluar Cristiano Ronaldo, i cili kësaj here nuk është as në mesin e të nominuarve. Nëntë emrat që do të konkurrojnë me Giorgio Chiellini janë: Robert Lewandowski, Neymar Jr., Lionel Messi, Mohamed Salah, Sergio Ramos, Romelu Lukaku, Sergio Aguero, Gerard Piqué dhe Karim Benzema. Shumë nga kampionët e së kaluarës e kanë fituar këtë çmim dhe kanë lënë gjurmët e tyre në “shëtitoren” përkatëse.





