
Për herë të parë banorët e fshatit Lumas kanë ngritur një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së bashkisë Dimal, Juljana Memaj dhe ndaj Pëllumb Salillarit, administrator i shoqërisë “Salillari” sh.p.k.
Banorët e akuzojnë Salillarin për veprat penale: “Shpërdorimi i tokës” Neni 199 , “Prerja e paligjshme e pyjeve” Neni 205, “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” Neni 206/a dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” Neni 202/b.
Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), 123 banorët e Lumasit kërkojnë ndjekje penale për “Shpërdorim detyre” Neni 248 për kryetaren e bashkisë Dimal, Juljana Memaj.
Ata shpjegojnë se janë vënë në dijeni “të disa veprimeve kriminale të kryera nga Pëllumb Salillari”, që është administratori i shoqërisë “Salillari” sh.p.k. Sipas banorëve, Shoqëria “Salillari” sh.p.k me administrator Salillarin ka shkatërruar dhe prerë kurorën e pishave mbi guroren e Gurit të Bardhë në bashkinë Dimal.
Në kallëzimin penal thuhet se kjo masakër mjedisore është bërë me qëllim nga kjo shoqëri për zgjerimin e sipërfaqes së shfrytëzimit për gurore dhe furrave të gëlqeres në bashkinë e Dimalit.
Banorët akuzojnë firmën se ka djegur rreth 30 ha pyje, duke rrafshuar të gjithë kodrën me pisha në lagjen “Guri i Bardhë” në Dimal, vetëm për përfitimet e tij. Për këtë masakër mjedisore, banorët e Lumasit kërkojnë ndjekje penale për “Shpërdorim detyre”për kryetaren e bashkisë Dimal, Juljana Memaj.





