Transmetuar më 11-08-2021, 13:14

SPAK ka mbyllur hetimet për ish-gjyqtaren Enkeleida Hoxha dhe e ka dërguar për gjykim bashkë me të arrestuarit e tjerë.

Falë firmës së Enkeleja Hoxhës, disa nga personazhet e krimit në vend kanë fituar lirinë. Ajo ka i ka dhënë lirinë me kusht personave me rrezikshmëri të lartë si Genc Tafili, Endrit Dokle, Ilir Paja apo Hekuran Billa.

SPAK njofton se në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:

 Enkeleida HOXHA, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal.

Aldo Tabaku, akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,të parashikuara nga nenet dhe 319/ç e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë të Kodit Penal.

Manuela Mallkuçi, akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet dhe 319/ç dhe 244 të Kodit Penal.

Bledar Petani, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Sajmir Petani, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Altin Skëndaj, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Gazmir Nezaj, akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet dhe 319 dhe 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Gentjan Nezaj, akuzuar se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Vendimet e gjyqtares

Enkeleida Hoxha, në Nëntor të 2017-s, liroi me kusht Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili, nga 25 vite burg kishte kryer vetëm 17. Po me këtë skemë, gjyqtarja e Krujës ka liruar disa ditë më vonë pas Tafilit, edhe Ilir Pajën, të cilit i kishte mbetur nga dënimi pa shlyer një vit burg për vrasje e rrëmbime. Paja njihet për disa arratisje spektakolare nga burgjet e Italisë dhe Gjermanisë.

Ishte po kjo gjyqtare që në vitin 2018 firmosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj të dashurës Xhisiela Malokut, por gjyqtarja e liroi duke e lënë në shërbim prove. Në Shkurt të 2019, ajo liroi nga qelitë e burgut Hekuran Billën, që u ekzekutua në mënyrë mafioze mbrëmjen e 11 Qershorit në Tiranë. Këtij të fundit, ajo i dha lirinë nga 5 vite burg më shërbim prove, gjithashtu në vendimin pretendon se Billa kishte kryer rreth 20 vite burg, që nga 2007 kur ishte arrestuar.

Ndërsa në Janar të 2020, gjyqtarja Hoxha firmosi lirimin e Endrit Dokles, numrit 2 të bandës së Durrësit. Gjyqtarja fillimisht i rrëzoi burgimin e përjetshëm, e dënoi me 25 vite burg. Më pas pranoi kërkesën e Dokles për lirim me kusht dhe 5 vitet t’i shlyente me shërbim prove. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka kërkuar shkarkim të gjyqtares për shkelje të ligjit dhe cenim të besueshmërisë tek sistemi i drejtësisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd