
Kontraktimi ose “ngrirja e qafës”, siç njihet nga shumica e njerëzve, mund t’i ndodhë kujtdo.
Ju mund të dëgjoni kërcitje, zhurma të ndryshme kur e lëvizni qafën në një drejtim të caktuar, ndërkohë që ngurtësimi përhapet edhe në zonën e shpatullave ose të kraharorit.
Por cilat janë shkaqet e kontraktimit të qafës? Sipas dhënave kontraktimet e qafës mund të ndodhin si pasojë e shumë veprimeve apo shkaqeve. Disa prej shkaqeve më të zakonshme janë: Lëndimet muskulare, ose fjetja dhe qëndrimi në një pozicion të çuditshëm. Qëndrimi përpara kompjuterit gjatë gjithë ditës. Fleksibilitet i mangët muskular, Dobësim i muskujve, Rrëzime ose lëndime të ndryshme.
Në shumicën e rasteve, mungesa e aktivitetit fizik, qëndrimi afatgjatë përpara kompjuterit, ose ushtrimet fizike të papërshtatshme përkeqësojnë ose pengojnë shërimin e qafës nga kjo tendosje. Nga informacionet në 15% të rasteve, kontraktimi i qafës dhe dhimbjet e saj sinjalizojnë një problem mjekësor. Këtu përfshihet: hernia diskale, frakturat në pjesën e sipërme të shpinës si pasojë e ndonjë rrëzimi, osteoartriti apo spondiliartroza. Në raste shumë të rralla, kontraktimi i qafës mund të shkaktohet nga një problem nervor ose bllokim i enëve të gjakut.
Ja si mund të trajtohet me kushtet e shtëpisë
Kompresa të ngrohta dhe të ftohta Kompresat ndihmojnë në zbutjen e inflamacionit dhe rritjen e qarkullimit të gjakut në zonën e qafës. Kompresat duhen mbajtur me intervale 20 minutëshe. Nëse kompresa me akull ju lehtëson më shumë, atëherë përmbajuni asaj.
Ushtrime fizike
Aktiviteti fizik dhe shtendosja janë efikasë në zhbllokimin e qafës. Ju mund të ngrini dhe ulni shpatullat dhe t’i lëvizni ato para dhe mbrapa. Më pas mund të lëvizni kokën në anë dhe më pas lart dhe poshtë. E rëndësishme është të mos sforcoheni, sepse do të përkeqësoni dhimbjet.
Mjekime
Barnat mjekësore kundër inflamacionit dhe dhimbjeve mund të ndihmojnë në zhbllokimin e qafës dhe largimin e dhimbjes. Një tjetër mënyrë se si të trajtoni kontraktimet e përsëritura është të tregoni kujdes me pozicionin e të fjeturit ose qëndrimit.





