
Ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim ka takuar sot në Pashaliman, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe kreun e emergjencave Civile, Haki Çakon.
“Sot në Pashaliman Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Sh.S.Znj. Yuri Kim së bashku me ekspertët nga USAID dhe përfaqësues të lartë nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë zhvilluan një takim me Ministrin e Mbrojtjes, z. Niko Peleshi, Drejtorin e Përgjithshëm të AKMC, z. Haki Çako dhe titullarë të tjerë të lartë nga strukturat vendore.
Takimi u zhvillua për të diskutuar rreth mbështetjes teknike që po jep ekipi i USAID këto ditë në lidhje me zjarret. USAID – US Agency for International Development U.S. Embassy, Tiranë”, shkruan Kim.
Zjarret në vend nuk janë vënë ende nën kontroll pavarësisht luftës së bërë për ditë me radhë nga toka dhe tashmë me helikopter edhe nga ajri.
Ministria e Mbrojtjes në raportin e saj të fundit bën me dije se problematike vijojnë të jenë disa vatra zjarri në veri dhe në jug të vendit.
Në Majën e Rrunës dhe në Qafën e Kumbullës, po punohet nga toka dhe ajri, ku në ndihmë të forcave zjarrëfikëse të vendit kanë ardhur edhe nga Kosova.





