
Lionel Messi u largua mes lotësh ngta Barcelona. Superylli argjentinas mbetet ende i fortë dhe vlerësohet si një nga lojtarët më të mirë në botë. Ai ishte lojtari më i mirë i Barcelonës, “hajmalia” dhe kapiteni i saj.
Në moshën 34-vjeçare, "Pleshti" ka arritur çdo gjë të mundshme në futboll. Ai është një model i pabesueshëm për fëmijët e vegjël, që me talent luftojnë për të arritur majën. Ja 5 rekordet më të mëdha të Lionel Messit, që mund të mos thyhen kurrë:
5. Më së shumti gola në një vit kalendarik
Messi ka qenë një golashënues pjellor gjatë gjithë karrierës së tij, por në vitin 2012 arriti një nivel të ri në artin e finalizimit. Superylli argjentinas shënoi 91 gola atë vit, duke tejkaluar rekordin e vjetër të Gerd Muller me 85 gola. Ai ishte në një formë mahnitëse për Barcelonën dhe Argjentinën gjatë asaj periudhe kohore, duke gjetur vazhdimisht rrugën e rrjetës dhe duke ripërcaktuar fjalën "klas botëror". Messi shënoi 73 gola në të gjitha garat për Barcelonën gjatë sezonit 2011-2012, pastaj 60 gola në të gjitha garat, sezonin në vijim. Këto janë numra të jashtëzakonshëm dhe nuk ka gjasa të përsëriten nga një njeri i vdekshëm.
4. Më së shumti gola në La Liga
La Liga u bekua që kishte dy superyje si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Sulmuesi argjentinas është një figurë legjendare në Spanjë dhe kjo theksohet edhe më shumë nga numrat e tij. Messi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në La Liga. 34-vjeçari ka shënuar 474 gola në kampionatin iberik, në 520 ndeshje. Cristiano Ronaldo është goxha larg, me 311 gola në 292 ndeshje.
3. Më së shumti “hat-trick” në La Liga
Të shënosh një gol të vetëm është mjaft e vështirë, por të shënosh tre gola në një ndeshje të La Liga-s dhe ta bësh atë rregullisht është dëshmi e talentit hyjnor. Lionel Messi ka shënuar 36 “hat-trick” në La Liga, më shumë se kushdo tjetër në historinë e atij kampionati. Cristiano Ronaldo është i dyti me 34 “hat-trick”, por superylli portugez nuk ka gjasa të kthehet në Spanjë nga Juventusi. Lojtari i vetëm që aktualisht luan në La Liga dhe në listën e më të mirëve është i 12-ti, Luis Suarez, ka 10 “hat-trick” në emrin e tij.
2. Më shumë gola për një klub të vetëm
Vitin e kaluar, Lionel Messi tejkaloi legjendarin Pele për t’u bërë lojtari me më shumë gola për një klub të vetëm. Argjentinasi ka shënuar 672 gola për Barcelonën në 778 ndeshje, në të gjitha garat, ndërsa Pele shënoi 643 gola për Santos gjatë “magjisë” së tij me klubin brazilian. Ka disa mosmarrëveshje se sa gola zyrtarë shënoi Pele për Santos, por do të ishte e drejtë të thuhet se rekordi i Messit është regjistruar përgjithmonë në librat e historisë.
1. Më shumë ndeshje për Barcelonën
Lionel Messi tani është lojtari me më shumë ndeshje për Barcelonën, pasi ka luajtur 520 herë në kampionat dhe 778 herë në të gjitha garat për atë skuadër. “Pleshti” e tejkaloi Xavin për t’u bërë mbajtësi i plotë i këtij rekordi. Xavi, i cili gjithashtu konsiderohet si një legjendë e Barcelonës dhe ka luajtur për një kohë të gjatë me Lionel Messi, bëri 505 paraqitje në La Liga dhe 767 paraqitje në të gjitha garat për gjigantët katalanas.





