
Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e rekomandoi, të paktën pa ndihmuar vendet e varfra me vaksina. Por aplikimi i dozës së tretë pritet të bëhet realitet në Francë. Presidenti, Emmanuel Macron, njoftoi se fuqizimi i mbrojtjes ndaj Covid-19 po shqyrtohet për disa kategori.
“Një dozë e tretë ka të ngjarë të jetë e nevojshme, jo për të gjithë menjëherë, por në çdo rast për më të cenuarit dhe më të moshuarit. Kjo është arsyeja pse ne po përgatitemi, si vendet e tjera europiane, që ta bëjmë të disponueshme këtë dozë të tretë për më të moshuarit dhe më të brishtët. Dhe ne do ta aplikojmë atë duke filluar nga shtatori”, tha Macron.
Qeveria e Macron po përpiqet që të përshpejtojë programin e vaksinimit anti-covid në Francë, teksa ky shtet përballet me valën e katërt të pandemisë. Masat e vendosura në zbatim nxitën demonstrata dhe protesta të dhunshme. Ndërsa bizneset në Francë ngrenë shqetësimin se një zbatim i mundshëm i pasaportave të imunitetit mund t’i dëmtojë financiarisht.
“Është shqetësuese pasi ka ndryshime çdo ditë. Rregullat e reja do të na dëmtojnë. Po ecim në errësirë dhe ndonjëherë, kemi rregulla që janë të pamundura për tu zbatuar”, tha Laurent Bondil, menaxher i restorantit “La Cabasse”.
Sot në Francë u shpall vendimi i gjykatës Kushtetuese që e quan të ligjshëm përdorimin e pasaportës së imunitetit ndaj Covid-19 në bare, restorante, trena dhe avionë.





