Transmetuar më 05-08-2021, 14:57

Menjëherë pas deklaratës së Sali Berishës që vetëm Zoti mund ta ndalonte të futej në Kuvend, ambasada amerikane ka reaguar ku thotë se SHBA do të përdorë të gjitha instrumentet për të goditur korrupsionin. Sipas ambasadës qëndrimi i SHBA në luftën kundër korrupionit mbetet i pandryshua, pasi cënohet siguria kombëtare e vendeve.

Zyra e shtypit e ambasadës amerikane në një reagim shkruan se: “Midis urdhërit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar:

Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbesor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”.

Në një dalje për mediat mesditën e sotme ish-kryeministri Berisha e quajti Kim një guvernatore, e cila jo vetëm që po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë, por po i kthente shqiptarët shumë vite pas me kërcënimet për ngrënien e barit.

Berisha dha këtë vlerësim për zonjën Kim: "Pasi përshëndeti masakrën zgjedhore, tani kërkon t’i diktojë këtij vendi se kush duhet të futet në Parlament. Ambasadorja Yuri Kim ka përdorur kërcënime me dogmën e barit që ka përdorur dikur Enver Hoxha dhe duke e përdorur sot albanofobët" tha Berisha. "Ajo po sillet si guvernatore" u shpreh ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd