
Videot dhe fotot dëshmojnë për këtë. Dje, në Qendrën e Trajnimit Suning në ‘Appiano Gentile’ ishte një pasdite emocionuese. Kthimi i Christian Eriksen tek Interi ishte një moment gëzimi i përbashkët, i përbërë nga përqafime dhe buzëqeshje, por edhe premtime për të ardhmen.
Do të na duhet të presim edhe pak për të parë nëse mesfushori danez do të kthehet sërish në fushë me topin apo jo, pas arrestit kardiak në qershor. E sigurt është se Eriksen do të jepte gjithçka në botë, madje akoma më shumë, për t’u kthyer në drejtkëndëshin e gjelbër.
"Ndihem mirë… Për katër deri në pesë muaj do të kthehem të luaj", – u tha ai shokëve të skuadrës, siç raportohet nga “Corriere dello Sport”.
📹 | VIDEO
Eriksen ritorna al Suning Training Centre 👇 pic.twitter.com/jp6CWqVnAV
— Inter ⭐⭐ (@Inter) August 4, 2021
Interi, gjithashtu dje lëshoi një deklaratë të qartë në lidhje me programin që danezi do të ndjekë në javët e ardhshme, tashmë i dakorduar edhe me mjekët që janë kujdesur për të nga 12 qershori:
"Eriksen do të ndjekë programin e rimëkëmbjes, të propozuar nga mjekët danezë në Kopenhagen, të cilët do të koordinojnë të gjithë ndjekjen klinike, duke mbajtur gjithmonë të informuar stafin mjekësor të Interit".
Është e qartë se ka shumë aspekte të tjera për t’u trajtuar, më e rëndësishmja natyra e episodit dramatic në fushën e lojës kundër Finlandës, në “Euro 2020”. Do të ketë kohë për përgjigjet shteruese. Midis buzëqeshjeve dhe përqafimeve, megjithatë, Eriksen dërgon mesazhe të qarta: ai dëshiron të luajë përsëri. E gjithë bota e futbollit e pret atë.





