Transmetuar më 05-08-2021, 09:23

Këtë verë duket se nuk ka pushime për ish-presidentin dhe kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Pavarësisht se ka hedhur ndonjë foto nga Alpet e Shqipërisë, duket se preokupimi i tij i ditës është “non grata” në SHBA dhe beteja e ashpër me ambasadoren Yuri Kim për futjen ose jo të tij në parlamentin e ri.

Lideri historik i demokratëve ka ngulmuar fort deri më sot se do të zbatojë vullnetin e votuesve të tij, duke i përfaqësuar si deputet, ndërsa nuk ka nguruar të publikojë edhe një fjalim të tij të mëhershëm, ku iu jep besën demokratëve se është një po të mbeten, ai do të jetë njëri prej tyre.

Deri më tani, kryetari i PD, Lulzim Basha, ka heshtur mbi deklaratat e forta të ambasadores amerikane në Tiranë, por shtatori po afron dhe koha nuk pret shumë. Qartësisht, demokratët nëpër rrjetet sociale janë solidarizuar me liderin e tyre historik, çka e vendos Bashën në një pozitë tepër të vështirë, sidomos në mandatin e tretë në opozitë.

Përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar demokrat, sipas të gjitha gjasave do ta ndante më dysh atë, sikurse do të përçante si kurrë më parë demokratët. Ish-kryeministri dhe presidenti, në daljet televizive, ka lënë të hapur edhe mundësinë e kthimit në krye të PD, duke thënë “kurrë mos thuaj kurrë”.

Një veprim i detyruar, sipas tij, me kushtet e reja politike dhe diplomatike, sepse e kishte mbyllur këtë kapitull. Megjithatë, duhet të presim e të shohim çfarë do të deklarojë sot Berisha, teksa ka njoftuar një konferencë për shtyp nga mjediset e një hoteli të njohur në kryeqytet:

“Të dashur miq, sot në orën 12:00 do të zhvilloj një konferencë për shtyp në hotel Rogner (salla Antigonea)! Ftoj mediat, sipas dëshirës, të jenë të pranishme!”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd