Transmetuar më 05-08-2021, 08:51

Për Laçin do të jetë diçka historike. Sot, prej orës 19:00, në “Elbasan Arena”, kurbinasit do të luajnë turin e tretë të “Conference League”. Një “stacion” europian i paarritur kurrë më parë prej tyre.

Po kështu, historike do të jetë edhe përballja me Anderlecht, një kundërshtar me shumë potencial, që ka luajtur thuajse rregullisht edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Trajneri i gjigantëve belgë, një emër i njohur si ish-futbollist dhe kapiten te Manchester City, Vincent Kompany, tha në konferencën përa ndeshjes:

“Kur je në krye të Anderlecht ka gjithmonë presion, herë më pak e herë më shumë. Gjithmonë ka ambicie ky klub dhe nuk kemi zgjedhje, duhet të shkojmë sa më lart të mundemi. Futbolli është futboll dhe rivalët duhen respektuar, por objektivat tona janë qarta, gjithmonë luajmë për fitore.

Pashë dy ndeshjet e fundit që luajti Laçi, si dhe pata mundësinë të rishikoja videot më pas. Kam nivelin e duhur të informacionit për kundërshtarin. Shumicën e kohës ishte një skuadër që i duhej të mbrohej.

Luajtën mirë, luajtën si vëllezër në fushë, përdorën mirë rastet. Çdo gjë shkoi mirë, që ata të ishin këtu sot. E meritojnë kualifikimin. Unë e kuptoj që nuk mund të ndryshoj dot recetën e suksesit të tyre brenda natës.

Problemet e mia me licencën UEFA Pro? Çdo gjë është në rregull, është burokraci. Kur ke të bësh me futboll dhe institucione, ke të bësh me shumë burokraci”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd