
Louis van Gaal është emëruar trajner i Holandës për herë të tretë, pas largimit të Frank de Boer në qershor. Ky i fundit dha dorëheqjen nga posti, pas eliminimit zhgënjyes të portokallinjve në 1/8 finale të “Euro 2020”, përballë Republikës Çeke.
Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) tani ka kthyer një fytyrë të njohur për të stabilizuar situatën. Van Gaal është emëruar mbi bazë të një marrëveshjeje fillestare 1-vjeçare për të mbikëqyrur pjesën e mbetur të fushatës kualifikuese të Kupës së Botës, gjithashtu do të jetë në stol, nëse “tulipanët” arrijnë në finalet e “Katar 2022”.
Van Gaal ka shprehur kënaqësinë e tij në një deklaratë zyrtare, e cila thotë: "Futbolli holandez ka qenë gjithmonë pranë zemrës sime dhe stërvitja e kombëtares është sipas meje një pozicion kyç për përparimin e mëtejshëm të futbollit tonë.

Për më tepër, unë e konsideroj një nder të stërvis ekipin kombëtar holandez. Ka pak kohë për ndeshjet e ardhshme kualifikuese, të cilat janë menjëherë vendimtare për pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Prandaj, fokusi është menjëherë 100 për qind te lojtarët dhe qasja taktike. Në fund të fundit, unë u emërova për këtë. Deri tani kam folur tashmë me një numër lojtarësh dhe stafi teknik është vënë në dispozicion së bashku me KNVB. Mezi pres ta nisim punën së bashku".
Drejtori i KNVB, Nico-Jan Hoogma, ka shtuar: "Në muajt e ardhshëm do të përballemi me detyrën e kualifikimit në Kupën e Botës. Ne kemi një periudhë përgatitore minimale për këtë. Në funksion të kësaj pune, ne po kërkonim një trajner me cilësi të jashtëzakonshme, i cili mund të parashikojë shpejt dhe nuk ka sekrete stërvitore për kombëtaren.
Me përvojën dhe rekordin e tij në nivelin më të lartë, ne besojmë te Louis van Gaal. Kontakti u vendos shpejt dhe ne kemi folur shpesh që atëherë”.





