Transmetuar më 31-07-2021, 10:21

Pas Mira Kazhanit dhe Bieta Sulos, një tjetër figurë publike qenka punësuar për të dhënë konsulencën e saj. Dhe jo konsulencë dosido, por për ujësjellësin. Fjala është për ish-këngëtaren Zajmina Vasjari, e cila rezulton e punësuar si specialiste në drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime të Durrësit, në degën e Shijakut.

Dokumenti është publikuar sot dhe tregon një tjetër rast të abuzivitetit në ndërmarrjet publike, ku puna nuk ka asnjë lidhje me personin që ngarkohet ta bëjë. Konkretisht, Vasjari, që mban edhe titullin e “Miss Shqipëria 2002”, është diplomuar në degën e Arkitekturës dhe nuk kuptohet dot se çfarë konsulence do të japë për ujin e pijshëm në Shijak.

Kujtojmë se të tilla emërime u denoncuan edhe në UKT, ndërmarrje e madhe në varësi të Bashkisë së Tiranës. Dy vite më parë ishin paguar gazetaret Mira Kazhani dhe Bieta Sulo, që paguheshin si këshilltare.

E para si këshilltare ekonomike, e paguar me 83 mijë lekë të rinj në muaj, ndërsa prezantuesja e “Top Channel” figuronte e punësuar në të njëjtën ndërmarrje, me pagë 55 mijë lekë të rinj, si specialiste.

Tani zbulohet një tjetër rast, ku figurat publike marrin rroga në ndërmarrjet shtetërore, në pozicione që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e tyre. Me siguri, shkuarja çdo ditë në vendin e punës është diçka që merret me mend. Rëndësi ka mbështetja publike e figurave të njohura në kohë fushatash.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd