Transmetuar më 15-07-2021, 12:29

Guri i themelit për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë” u vendos sot dhe atje ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama.

Ai foli për mjekun i cili propozoi legalizimin e pushtetit. Rama tha se i bëri shumë përshtypje para pak ditësh një grumbullim mjekësh dhe një zëdhënës që kërkonte legalizimin e rryshfetit, duke theksuar se është vërtetë mbresëlënëse nga niveli i kurajos dhe nga paturpësia e propozimit:

"Më bëri shumë përshtypje, të them të drejtën, përpara pak ditësh, një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse për nga niveli i kurajës dhe për nga paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve e të infermierëve duhet rritur e ne do ta rrisim, siç e kemi rritur dhe në vitet pararendëse. Nuk është një zotim elektoral, zgjedhjet kanë sapombaruar, por është një zotim i planifikuar që të mbahet, që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%. Ashtu sikundër edhe kjo në vetvete nuk është se i thotë të gjitha, sepse me autonominë spitalore, ne duam të kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit të mjekut, duke krijuar sigurisht një dysheme, por duke krijuar edhe mundësinë që mbi atë dysheme, mjekët të mos paguhen njësoj, por të paguhen sipas mundit dhe sipas volumit të shërbimit e natyrisht, edhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht.

Ky është thelbi në raport me atë që autonomia spitalore sjell në burimet financiare të familjeve të mjekëve, por të thuhet se ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin, është vërtetë një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që gjithë lëvizja antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë shtetëror, e cila ka filluar të ndihet, të shtrihet shumë më thellë. Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, të të gjitha bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve apo të pacientëve. E vërteta nuk është kështu e nuk ka se si të jetë kështu. Nuk janë njësoj as pemët, nuk janë njësoj as lulet, nuk janë njësoj as kafshët, nuk janë njësoj as njerëzit. Por ndarja mes asaj, sipas meje, shumice që e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfirmuar faktet që lidhen me sa shumë ndërveprime kryhen në funksion të pacientëve e sa shumë rezultate arrihen duke vënë në shërbim të tyre të gjitha dijet e të gjithë mundin, bën nga ana tjetër që të jetë absolutisht e domosdoshme që mjekë dhe infermiere, të cilat tronditin opinionin publik kur papritur shfaqen si gjakpirës, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit. Për këtë arsye, ne kemi në proces ndërtimin e një rrjeti të tërë antikorrupsion, nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur nën një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik, jo thjesht sistemin tonë shëndetësor, por të gjithë sistemin publik, sepse të gjitha këto që bëjmë, humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre, në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit e njerëzve.

Kjo është arsyeja që edhe në spitale, ne kemi filluar të vendosim e do të shtrijmë deri në fund, si në të gjithë institucionet e shërbimit të drejtpërdrejtë për publikun, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë ose për të kontribuuar në ndarjen e të njomit nga i thati. Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit, nëse ajo luftë nuk zhvillohet brenda shtetit, domethënë, brenda të gjithë institucioneve e të gjitha sistemeve të organizimit të pushtetit ekzekutiv ku menaxhohen fondet publike, ku paguhen rroga me taksat e qytetarëve dhe ku njerëzit marrin shërbime. Nuk mund të ketë luftë kundër të keqes, nëse ajo është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv, i cili qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti, në të gjitha nivelet, qoftë në radhët e krimit, qoftë në radhët e kujt deri dje ka abuzuar me pushtetin.

Lufta duhet të zhvillohet brenda, në radhë të parë dhe vetëm kështu do të rriten të ardhurat, do të rritet besimi, do të rritet solidariteti, do të rritet dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë në sytë e të gjithë opinionit publik, ata, të cilët bëjnë detyrën. Vetëm kështu, Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë e shumë vitesh është penguar të ngjitet dhe vetëm kështu, shteti do bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i qytetarëve. Në të kundërt është e vështirë, shumë e vështirë.

Natyrisht, edhe kjo është tejet e vështirë, por jo e pamundur. Këto që po ndodhin, për fat të mirë, janë shenjat e para të një ndryshimi që do shkojë duke u thelluar dhe i një lëvizjeje që do shkojë duke u bërë gjithnjë e më shumë gjithëpërfshirëse në çdo nivel. Shteti nuk mund të jetë një “rifugio pecatorium” për mëkatarë e për grabitqarë në kurriz të qytetarëve që shtetin e mbajnë në këmbë me kontributet e tyre. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, nuk mund të mëkatohet me lotët e familjarëve, nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve në asnjë sistem brendapërbrenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë përtej personales dhe që përfshijnë në mënyrë shumë të rrezikshme, shpeshherë si kancer vdekjeprurës kolektive, të përbashkët".