Transmetuar më 09-07-2021, 01:42

“Lekët, jo më nën dorë, por te recepsioni”, mjekët e Tiranës japin “recetën” që sipas tyre zgjidh korrupsionin

Arrestimi i mjekëve Serdi Memini dhe Ervin Sulaj ka nxjerrë në protestë kolegët e tyre pranë Spitalit të Traumës, në kryeqytet.

Mjekët e shoqëruar akuzohen se i morën para babait të Elmidin Dylit, 17-vjeçarit të plagosur në Velipojë nga shkëmbimi i zjarrit mes familjes Gjocaj dhe Ferracaku.

Bluzat e bardha shprehin pakënaqësinë për mënyrën se si janë trajtuar kolegët e tyre nga Policia e Shtetit.

“Kolegu ynë është marrë direkt pas operacionit dhe është shoqëruar. Nuk ka aspak problem, është e drejta e ligjzbatuesve që ta bëjnë këtë gjë. Por, të ishte trajtuar në mënyrë më njerëzore. Nuk e di se ku ndahet korrupsioni nga shpërblimi. Nuk di që në këto vite një mjek në Shqipëri të mos ketë pranuar një dhuratë, të dhënë me kënaqësi. Unë vetë kam dhënë dhuratë ndaj kolegëve që më kanë trajtuar familjarët”, thotë një mjek për A2.

Kirurgu i përgjithshëm Dr.Myftar Torba pranoi publikisht se mjekët në sistemin shëndetësor publik në Shqipëri marrin rryshfet.

Ai tha se shërbimi shëndetësor është një shërbim që duhet paguar, si të gjithë shërbimet e tjera.

“Nuk jemi më në kohën e diktaturës, që shkon në spital dhe të tjerat i di shteti. Shteti duhet të ndërhyjë dhe të sigurojë që të kryhen pagesat në spital, për çdo shërbim të marrë. Në spitalin tonë, shërbimi i laboratorëve është privat, paguhet me çmimin e tregut. Shërbimi i instrumenteve është privat, shërbimi i pastrimit është privat, shërbimi i ushqimit është privat, paguhen me çmimin e tregut”, u shpreh Torba.

Ndërsa foli për pagën e mjekëve, ai tha se është shumë e ulët, duke shtuar se asnjë mjek nuk do të qëndronte në punë, nëse nuk do të merrte rryshfet nga familjarët e pacientëve.

“Rroga neto e një kirurgu me 30 vite eksperiencë është 80.000 lekë. Cili kuzhinier në restorantet e Tiranës e ka rrogën kaq? Cili prokuror, gjyqtar apo hidraulik e ka rrogën kaq? Me këto rroga, unë të siguroj që po të hiqeshin bakshishet, nesër në mëngjes nuk do të kishe asnjë mjek në spitale”, tha mjeku.

Kirurgu kërkoi që të ligjërohet dhënia e bakshishit mjekëve për shërbimin e tyre ndaj pacientëve në spital.

“Ne kërkojmë të zgjidhet mënyra e financimit të spitaleve. Opsioni më i lehtë dhe më i ndershëm, është që çdo para që jepen në dorë, të lihen në recepsion me faturë dhe këto para të shkojnë te puna e gjithsecilit”, deklaroi mjeku kirurg.

Mjeku Jorgo Marga duhet të kishte dalë në pension 3 vite më parë, por vijon të punojë. Edhe për të, mënyra e trajtimit të bluzave të bardha nuk është korrekte: “Nuk e ndjej veten të lodhur dhe nevojë kanë. Por, këtu është paradoksi: dhe kanë nevojë, dhe ndodhin këto lloj gjërash. Nuk është mirë të kërkosh shpërblim për atë çfarë bën, por është tjetër çështje kur njerëzit të japin diçka si shpërblim për mirësjellje, jashtë kanaleve të korrupsionit.

Për të shmangur çdo situate të tillë, mjekët sugjerojnë një metodë ndryshe të shpërblimeve nga familjarët e pacientëve: “Këto lekë që sot jepen nëpër xhepa, në shkallë dhe pas peme, duke ulur dinjitetin e doktorit, të jepen te recepsioni dhe prapë të shkojnë te xhepi i doktorit. Jo më nën dorë, por në recepsion. U zgjidh korrupsioni”.

Mjekët kanë njoftuar se do të mbajnë në heshtje të tjera protesta ditë pas dite, deri në momentin që Gjykata do të shprehë vendimin për kolegët e tyre.