Transmetuar më 06-07-2021, 10:08

Të dhënat e pandemisë në Itali shënojnë një përmirësim të qartë krahasuar me muajt e mëparshëm, me numër më të ulët të infeksioneve dhe mbi të gjitha, pak shtrime në spital dhe vdekje. Por paralajmërimi i një pjese të madhe të komunitetit shkencor dhe mjekësor është se emergjenca nuk ka mbaruar, përkundrazi sipas tyre, vjeshta do të krijojë situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar.

Ekspertët shëndetësorë thonë se në tetor do të vijë një valë e katërt e cila sipas tyre shpjegohet me heqjen e shumë kufizimeve nëpër botë për muajt e verës, lëvizjet e shumta të njerëzve këto muaj dhe ekspozimin e dendur pa distancim social të njerëzve kudo në botë.

Dr. Walter Ricciardi, këshilltar i Ministrisë së Shëndetësisë në Itali, tha të hënën në media se janë shqetësuese variantet e reja që vijnë nga mutacionet.

Dr.Ricciardi përmendi si më alarmues, variantin indian ose Delta.

Po ashtu ai shprehu shqetësim për faktin që njerëzit kanë zgjedhur vullnetarisht të mos i nënshtrohen vaksinimeve.

Në këto kushte, tha Dr.Ricciardi, mundësia e një lockdown të ri në tetor është evidente.

Fjalët e Ricciardi ndjekin deklaratën e drejtorit të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge. Ai paralajmëron se në vjeshtë pritet valë e fuqishme shkrimesh dhe vdekjesh nga kovidi.

Sipas z.Kluge, aktualisht ekzistojnë të gjitha kushtet për një "valë të re vdekjesh dhe presioni të tepërt në spital për shkak të covid-19 në fillim të vjeshtës".

Kluge theksoi nga Kopenhaga në Danimarkë, se në mënyrë të veçantë, Evropa do të goditet nga një valë e re e kovid-19 me ardhjen e vjeshtës.

Ditët e fundit janë rritur me 10 për qind rastet e infektimeve me kovid në Evropë e po ashtu janë rritur shtrimet në spitale.

Ndërsa kërkohet që 80 për qind e njerëzve të jenë të vaksinuar, aktualisht në Evropë janë vaksinuar 24 për qind e qytetarëve. Dr.Kluge i cilësoi shifrat si të papranueshme dhe shtoi se në gusht, variantin indian Delta do të shtrohet këmbëkryq në Evropë.