Transmetuar më 29-06-2021, 11:11

Skuadra e etiketuar nga shumica si favorite për të fituar “Euro 2020” u eleminua në 1/8 finale nga Zvicra tejet e frymëzuar dhe heroike në Bukuresht, me penallti, pas barazimit epik 3-3. Sulmuesi yll i Francës, Kylian Mbappe, humbi penalltinë finale, duke vulosur një fitore të famshme për helvetët e drejtuar nga Vladimir Petkovic.

Penalltia e dobët e 22-vjeçarit të PSG u prit lehtësisht nga Yann Sommer për të ndezur skenat e një feste të egër midis lojtarëve dhe tifozëve zviceranë. Ky episod fatal vulosi paraqitjen e Mbappe në këtë Kampionat Europian, që ishte e mjerueshme. Ai dështoi të shënonte një gol të vetëm në “Euro 2020”.

Njeriu i shënjuar si fitues i ardhshëm i “Topit të Artë” shpërdoroi një shans të madh gjatë natës së kaluar, duke përfshirë një rast ideal në kohën shtesë, kur mori asist të shkëlqyer nga Paul Pogba. Mund t’i duhet disa kohë Mbappe për ta marrë veten nga kjo goditje, por të paktën mori një mesazh prekës mbështetjeje pas një nate për t’u harruar në Rumani.

Pak minuta pas përfundimit të gjuajtjes së penalltive, Pele i dërgoi një mesazh Mbappe, duke i kujtuar sulmuesit të mrekullueshëm që ta mbajë kokën lart dhe të përqendrohet në të ardhmen. Ja mesazhi i Pele për Mbappe: "Mbaje kokën lart, Kylian! Nesër është dita e parë e një udhëtimi të ri"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd