Transmetuar më 27-06-2021, 15:42

Një çmenduri me kontribut kolektiv mund të quhet kjo që po ndodh në Shqipëri ku nuk kanë të sosur vrasjet e çdo lloji. Gazetari dhe opinionit Edison Ypi, me penën e tij të veçantë ju sjell këtë shkrim të mbushur me nota sarkastike nga njëra anë dhe plot dhimbje për realitetin nga ana tjetër.

Mos e lej tjetrin pa e vra. Po fillove me dyshime, jo ti po un, jo un po ti, vjen tjetri të vret ty.

Po vazhdove me hezitime duhet apo s’duhet ta vrasësh ti tjetrin, ta bën tjetri gropën ty. Çlirohu nga ankthi torturues duke e vrarë ti tjetrin para se tjetri të vrasi ty.

Më mirë të vuajë pak çaste ai që vritet, se përgjithmonë të dy. Vrite tjetrin pa të lëvizur qerpiku. Edhe nëse tjetri është babai yt ose vëllai yt, ose farefisi yt, vrite tjetrin pa hezitim.

Momenti më i përshtatshëm me e vra tjetrin është ta vrasësh në gjumë. Tjetër rast i mirë me e vra tjetrin është me bukë në gojë. Edhe me mish në ngojë s’ësht keq. Ta vrasësh tjetrin tu pi kafe në qef të vet, është gjithashtu e këshillueshme. Vrite tjetrin për hiçgjë.

Me kallashnikovin e fshehur, me sqepar, me sëpatën me bisht të shkurtër dhe teh rrezëllitës që e bleve një ditë në pazar për ta pasur për çdo rast, me çfardolloj mjeti, për çfardolloj arsyeje, vetëm pa e vra mos e lej. Ik vrite tjetrin. Mos e zgjat. Bjeri shkurt. Shko trokit. S’ka rëndësi nëse tjetri del te dera i veshur apo i çveshur, me patollona apo me tuta, me pizhama apo me brekë. Rëndësi ka ta vdesësh në çast duke e godit në rruz të qafës. Koka si bostan në dysheme. Gjaku vu. Mos u tut nga njerzit e shtëpisë. Do kesh mirkuptimin e tyre të plotë. S’janë më të mirë se ty. Rastin për ta hequr qafe tjetrin që edhe atyre ua ka nxirë jetët, kanë kohë që e presin. Nuk do i thonë Policisë që e vrave ti. Do i thonë erdhi e vrau dikush me kapuç të zi në kokë që u largua në drejtim të paditur. Pasi ta vrasësh ti tjetrin, do vij tjetri të vrasi ty. Në këto ditë të vështira që po kalon Kombi, ta vrasësh ti tjetrin dhe të vrasi tjetri ty, është vepër patriotike me vlerë të pallogaritëshme për brezat e ardhshëm që do mahniten me trimninë, besën dhe burrërinë e brezave të tashëm. Ti tjetrin, tjetri ty, e kështu me rradhë, mos lini human pa vrarë. Vritini të gjithë: Nënat, baballarët, vëllezërit, motrat, miqtë, mikeshat, bijtë, bijat, nipat, mbesat, kushurinjtë, kushurirat, fshatin, qytetin, të gjithë, derisa nga Konispoli në Vermosh dhe nga Mokra në Karavasta të mbeten vetëm ata dhe ato që nuk e vrasin njëri-tjetrin, gjarpërinjtë, nëpërkat, gaforret, zhabat.