Transmetuar më 27-06-2021, 11:49

Lajm i keq, shumë i keq për Ivan Perisic dhe Kroacinë. Më pak se dy ditë para ndeshjes kundër Spanjës, e vlefshme për 1/8 finale të “Euro 2020”, anësori i Interit rezulton pozitiv për Covid-19. Kjo gjë u komunikua nga kombëtarja kroate, përmes faqes së saj zyrtare:

"Gjatë mbrëmjes, Federata Kroate e Futbollit mori rezultatet e testeve të rregullta për virusin SARS-CoV-2, të cilat zbuluan pozitivitetin e Ivan Perisic ndaj koronavirusit. Stafi mjekësor i ekipit kombëtar e izoloi Ivanin nga anëtarët e tjerë të skuadrës dhe menjëherë informoi shërbimin kompetent epidemiologjik mbi detaje të situatës, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit.

Perisic do të kalojë 10 ditë në vet-izolim dhe në këtë periudhë nuk do të zbresë në fushë për ndeshjet e kombëtares kroate. Të gjithë anëtarët e tjerë të skuadrës, stafi dhe delegacioni janë negativë. Kombëtarja do të fluturojë në 10:35 nga Pula për në Kopenhagë, ku do të luajë ndeshjen kundër Spanjës, të hënën e 28 ​​qershorit".

Për Perisic, në thelb, “Euro 2020” mund të ketë përfunduar tashmë. Lojtari i Interit mund të kthehet në fushë vetëm nëse Kroacia zbarkon në finale, e planifikuar për të dielën e 11 korrikut në Londër.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd