Transmetuar më 26-06-2021, 17:16

Për 12 orë, në të gjithë vendin, 66 leje drejtimi të pezulluara dhe 2668 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, shkelje që Policia e Shtetit thotë se përbënin rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, raporton noa.al.

Kjo raprezalje policore vjen një ditë pasi rruga Fier-Vlorë u përgjak duke marrë jetën e katër anëtarëve të një familjeje.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, tha sot se ajo po forcon kontrollin, kryesisht ndaj shkeljeve që janë konsideruar si shkak jo vetëm për ndodhjen e aksidenteve rrugore, por edhe për rritjen e pasojave që vijnë si rezultat i tyre duke cenuar rëndë sigurinë në rrugë dhe njëkohësisht duke shtuar pasigurinë e përdoruesve të rrugës në tërësi.

Në fokusin e kontrolleve të përqëndruara në rrugët urbane dhe interurbane janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mosrregullimi i shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara, sjelljet agresive dhe manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripave të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit për fëmijët nën 12 vjeç, si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjeteve, që mbetet një nga shkeljet më të rrezikshme dhe në masë tek drejtuesit e mjeteve.

Për këto shkelje, për shkak të rrezikshmërisë dhe numrit të lartë të konstatimeve me ndryshimet e fundit është dhjetëfishuar sanksioni administrativ dhe në rast konstatimi në përsëritje 3 herë brenda vitit, krahas masës, drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit për 3 muaj.

Gjatë ditës së sotme, në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në zonat bregdetare, shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, makina të pauniformuara, kamera e aparate fotografike, kanë kosntatuar një numër të madh shkeljesh të cituara më lart, konkretisht:

Janë pezulluar 39 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, matur me radar, dhe 27 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

473 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 397 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 644 masa për shpejtësi mbi normat e lejura, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 194 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 778 masa për parakalime të gabuara dhe 182 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd