Kreditë tek Iute Credit Albania, denoncimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë
Transmetuar më 26-06-2021, 07:15

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë të Shqipërisë, ka bërë publikisht një denoncim për institucionin financiar Iute Credit Albania.

DHKPGJP evidenton si funksionin marrja e një kredie tek IUTE. Një shumë 1 milion lekë arrin në 37 për qind kamatë në vit. Nëse nuk paguhet në kohë dhe e lë 2 muaj apo më tepër do të paguash penalitet ditor:

"Pas 70 ditë vonesë nëse s’ke shlyer asgjë, aty nga data 8-9 shtator penaliteti do të ketë arritur në 1.2 milionë lekë + 1.3 që është detyrimi total i kredisë = 2.5 milionë lekë. Pra… more 1 milion dhe do japësh 2.5 milion".

Kostot nuk kanë të mbaruar. Sipas kontratës që firmoset nga palët, klientit në vonesë prej 50 ditësh i dërgohen 4 sms njoftuese me faturim 200 lekë secila (4 sms X 200 lekë = 800 lekë).

Klientit në vonesë prej 50 ditësh i dërgohen 3 letra njoftuese me kosto 1 500 lekë secila (3 letra X 1 500 lekë = 4 500 lekë). Kostoja e njoftimeve, sipas këtij rasti është 5 300 lekë të rinj ose rreth 50 euro (sms dhe letra).

Lind pyetja, 53 mijë lekë të vjetra për të çuar 4 sms me 2 mijë lekë sms? Dhe pyetja tjetër: Vallë.çfarë shkrimi kanë ato 3 letra A4 që kushtojnë 15 mijë lekë copa?!", pyet DHKPGJP.

Më herët, në 2019, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mbylli institucionin mikrofinanciar “Iutecredit Kosova”. Guvernatori i BQK-së deklaroi se po mbroheshin me këtë akt mijëra familje të varfra kosovare që të mos shfrytëzoheshin nga normat shumëfish të interesit jashtë çdo standardi që rrezikonin edhe stabilitetin financiar në Kosovë.

Ja shkrimi i plotë:

🔶 MERR 1 “MANUSH” DHE JEP 3 “ANTONELA”

🔳 Në 1996, FMN i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare, që të paralajmëronte popullin për rrezikun që sillnin firmat piramidale.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë asokohe paralajmëronte për natyrën piramidale të firmave dhe për pasojat që mund të vinin. Te “Sudja”, “Vefa”, “Populli” fusje 1 merrje 3 d.m.th, fusje 1 milion lekë të jepnin 3 për pak kohë.

Mrekulli!… që përfundoi në luftë.

Pas 25 vitesh historia përsëritet, por së prapthi. Sot të japin 1 dhe të marrin 3. Piramidat janë kthyer upside-down/kokëposhtë. FMN-ja me qeverinë nuk flet, ndërsa Guvernatori i BSH-së merret me kohën… javën tjetër do të kemi ulje temperaturash me 3-4 gradë.

Ja çfarë të ndodh po të duash të blesh një telefon, lavatriçe, TV apo pushime në “Dhërmi” me kredi në Shqipëri në 1 korrik 2021. Të dhënat janë reale nga kontrata te “IUTE CREDIT ALBANIA”.

Ne 1 korrik merr 1 milion lekë kredi për 10 muaj deri në 1 prill 2022😊. Kësti mujor 137 mijë lekë, që duhet ta paguash çdo datë 9 korrik, gusht, shtator, tetor… Nëse je i rregullt çdo datë 9, në fund do të shlyesh 1 milion e 370 mijë lekë. Po u harrove në plazh pas datës 9 korrik😊 e më pas e harron fare pagesën 2 muaj apo më tepër do të paguash penalitet ditor. Pas 70 ditë vonesë nëse s’ke shlyer asgjë aty nga data 8-9 shtator penaliteti do të ketë arritur në 1.2 milionë lekë + 1.3 që është detyrimi total i kredisë = 2.5 milionë lekë. Pra, për 2 muaj plazhi dhe 10 ditë shtatori more 1 milion dhe do japësh 2.5 milion. Me përllogaritje më pas deri në 1 prill 2022… do të shkosh me kësmet 3-fish, 3.5-fish, pse jo dhe 4 apo 5 herë më tepër pas 10-muajve.

Penalitetet kanë një specifikë që pushuesi i lumtur i ka firmosur vetë: Klientit në vonesë prej 50 ditësh i dërgohen 4 sms njoftuese me kosto 200 lekë secila (4 sms X 200 lekë = 800 lekë). Klientit në vonesë prej 50 ditësh i dërgohen 3 letra njoftuese me kosto 1 500 lekë secila (3 letra X 1 500 lekë = 4 500 lekë). Kostoja e njoftimeve, sipas këtij rasti është 5 300 lekë (sms dhe letra).

👉53 mijë lekë me të çu 4 mesazhe me 2 mijë lekë msg-ja telefonike (çfarë shkruajnë ato vajzat në mesazh?!😊)

👉Çfarë shkrimi kanë ato 3 letra A4 që kushtojnë 15 mijë lekë copa?!

Ky është bank-ingu apo fajd-ingu në Shqipëri. Nuk dihet çfarë mendojnë për këtë prof. Malaj, Civici, e të tjerë profesorë të shquar në fushën e sistemit financiar e atij bankar, por me mijëra njerëz të thjeshtë janë përfshirë sot në këtë skemë.

Skema që ushqen sot reklama të bukura me pamje joshëse televizive.

Skema ku jep 1 “Manush" dhe merr 3 “Antonela” 😊!"

Vijon…