




Dy automjete janë përplasur mes tyre pak sot në mëngjes në rrugën kombëtare që lidh Fierin me Vlorën, te zona e Kripës me pasojë vdekjen e katër personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, raporton noa.al.
Policia tha zyrtarisht se rreth orës 08:23, në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Kripa”, një mjet tip “Audi” është përplasur me një mjeti tip “Toyota" me targa greke.
Si pasojë e aksidentit, katër persona që udhëtonin me mjetin “Toyota”, dy të rritur dhe dy fëmijë, kanë ndërruar jetë pasi mjeti i tyre doli nga rruga duke u rrokullisur fatalisht jashtë saj.
Gjithashtu janë dëmtuar dhe dy shtetasit që udhëtonin në mjetin “Audi” (drejtuesi dhe pasagjeri), të cilët po transportohen në spital, për ndihmë mjekësore.
Në një përditësim më vonë policia saktësoi se si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin “Toyota”, shtetasit Eduart Gushi 44 vjeç, Silvana Gushi, 33 vjeçe, Anastasia Gushi 14 vjeçe dhe Eva Gushi 9 vjeçe.
Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Audi”, Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje shkuan forcat e rendit dhe disa ambulanca. Në pamjet e mëposhtme shikoni një ekip shpëtimi dhe kalimtarëve që po nxjerrin personat e bllokuar në automjet. Në makinë gjendeshin prindërit dhe dy fëmijët. Nëna dhe dy fëmijët vdiqën në vend. Babai ndërroi jetë teksa u dërgua në spital.
I ndjeri E.Gushi ndodhej në drejtim të automjetit tip Toyota.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit, identifikimin e viktimave dhe të personave të plagosur.
Dyshimet janë se makina tip Audi ka tentuar të bëjë një parakalim me shpejtësi dhe ka përplasur nga pas makinën tip Toyota. Për pasojë dy mjetet dolën nga rruga. Në aksident e sipër, është thyer dhe shtylla e energjisë elektrike.
Toyota u shkatërrua plotësisht duke shuar familjen me katër anëtarë.
Në mjetin Audi janë plagosur tre persona, paraprakisht pa rrezik jete. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





