
Shqipëria renditet vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor sa i përket ritmit të vaksinimit të popullatës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër vaksinimin masiv ku tha se ritmi i vaksinimit nuk do të ndalet, ndërkohë që ka theksuar të rritet me tej vaksinimi i kombinuar, si pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv.
“Kemi kryer më shumë se 900 mijë vaksinime. Më në fund ‘Shqipëria buzëqesh’. Ritmi është goxha i mire, por kemi mundësi akoma më shumë për të rritur këtë ritëm, në mënyrë që të arrijmë një mbulesë vaksinale sa më të lartë. Plani i kombinuar i vaksinimit është duke vazhduar edhe me institucionet kritike si OSHEE, të transportit, ujësjellësit si dhe institucione të cilat kanë kontakte direkte me qytetarët, siç janë bashkitë, siç është qendra e shërbimeve ADISA dhe institucione të tjera të cilat janë përfshirë në planin tonë të vaksinimit”, tha Manastirliu.
“Pavarësisht se jemi në një situatë shumë të kontrolluar të epidemisë në vend, kjo nuk do të thotë se duhet të ulim vigjilencën, e aq më pak, ritmin e vaksinimit”, tha Manastirliu.
Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





