
Rodolfo Baqué, avokati i një prej infermierëve që asistoi Diego Maradonën para vdekjes së tij, më 25 nëntor 2020, nuk ka dyshime: "Mjekët e vranë Diegon". Sipas Baqué, "ka një përgjegjësi të mjekëve kurues. Kishte shumë zile alarmi që Maradona do të vdiste brenda natës. Dhe askush nga mjekët që e ndiqte nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë".
Avokati mbështet tezën se Maradonës i ishin dhënë ilaçe psikotrope për ta qetësuar dhe vënë në gjumë, por ato i kanë përshpejtuar rrahjet e zemrës, edhe pse ai po trajtohej për një sëmundje kardiake. Infermierja Dahiana është nën hetim për vrasje të thjeshtë, me sjellje të pahijshme e të qëllimshme profesionale, vepër penale për të cilën rrezikon nga 8 në 25 vjet.
Sidoqoftë, avokati Baqué pretendon se klientja e tij ka respektuar pikë për pikë udhëzimet e mjekëve kurues. Kujtojmë se Diego Maradona, i cili vuante nga veshkat, mëlçia dhe problemet e zemrës, vdiq nga një atak kardiak, i vetmuar në rezidencën e tij në Tigre, në veri të Buenos Aires, vetëm disa javë pasi iu nënshtrua një operacioni në tru për një mpiksje gjaku. Ai ishte 60 vjeç.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





