Transmetuar më 22-06-2021, 15:12

Andrea Costa, Nënsekretari i Shëndetësisë në Itali, foli për çështjen e transferimit të finales së “Euro 2020” nga Londra, meqë në kryeqytetin anglez po shihet një rritje e re e infeksioneve të Covid-19. Ideja është që kjo finale të spostohet në Romë, çka e pohoi gjithashtu kryeministri Mario Draghi dje. Costa nënvizoi: "Zhvendosja e finales së Europianit në Romë? Më kujtohet që disa javë më parë, kryeministri britanik propozoi të luheshin të gjitha ndeshjet në Angli, sepse ishte kombi me numrin më të ulët të infektimit. Tani situata duket ndryshe, kështu që pse jo? Finalja e Europianit në Romë do të ishte një akt i arsyes së shëndoshë".

Nënsekretari i Shëndetësisë foli edhe për “lirinë” që do të ketë sezoni i ri në Serie A, duke dhënë një lajm të mirë: "Ne biseduam për këtë në mëngjes me ministrin Speranza. Për sezonin e ardhshëm mund t’ju jap lajmin e mirë se do të fillojmë nga 22 gushti me 25% të stadiumeve të mbushura me tifozë. Do të ketë një progresion gradual për të arritur në javët në vijim me një përqindje rritjeje të tifozërisë. Sezoni tjetër do të jetë me publikun e pranishëm dhe jo më pak se 25%. Duhet maturi, një ndjenjë përgjegjësie, të cilat asnjëherë nuk kanë munguar te qytetarët italianë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd