
Ëndrrat janë një përbërës kryesor i gjumit të të rriturve, por edhe fëmijët ëndërrojnë, madje që në foshnjëri. Ndërsa për ëndrrat e bebeve nuk mund të flitet shumë, për ato të fëmijëve, po.
Fëmijët shohin ëndrra të ndryshme. Kryesisht me faktorë që lidhen me ditën e tyre.
Nëse fëmija ka parë diçka të rëndë, një skenë sherri, konflikti, dhune, në familje apo jashtë saj, kjo ka gjasa të ndikojë në ëndrra nate të këqija që trembin të vegjlit.
Po ashtu fëmijët mund të shohin ëndrra me personazhe të hasur në programe televizive apo video të ndryshme që mund të shohin dhe ku mund të ketë skena dhune.
Prindërit duhet të bëjnë kujdes dhe të mbajnë afër fëmijën kur sheh ëndrra të tilla dhe të sigurojë atë se ka mbrojtje dhe ajo mbrojtje është fare pranë tij.
Fëmijët mund të shohin ëndrra edhe pa telashe trembjeje, gjithnjë duke u bazuar në një nga aktivitetet e jetës së përditshme.
Vërehet se imagjinata e fëmijëve zhvillohet vrullshëm edhe gjatë ëndrrave dhe reflekton në jetën e përditshme.
Vlerësohet se një në katër ëndrra të fëmijërisë mund të jetë "e keqe", domethënë mund të përmbajë përbindësha, shtriga të liga, ujqër, ushtri dhe luftëra. Kjo ka të bëjë me përvojat e tyre të përditshme, të cilat nganjëherë mund të jenë të pakëndshme, të pakuptueshme, stresuese.
Por ekziston një lloj tjetër ëndrrash të këqija që lindin në gjumë, në fazën NREM. Kjo ndodh ndryshe nga ne: Ndërsa ne normalisht ëndërrojmë në fazën REM, e cila ndjek NREM) fëmijët ëndërrojnë në fazën NREM dhe ëndrrat e tyre shpesh shoqërohen me britma dhe ndjenjën e frikës dhe panikut. Fëmijët zgjohen shumë të frikësuar dhe zakonisht e kanë të vështirë të kujtojnë se për çfarë bëhej fjalë. Këto ankthe prekin 1 deri në 4 në çdo 100 fëmijë të moshës 4 deri 12 vjeç dhe zakonisht zvogëlohen ndërsa fëmijët rriten.
Ekspertët shpjegojnë se kjo është një gjendje normale. Dr. Natalia Koutrouli, MSc, psikologe shëndetësore, është drejtoreshë e Qendrës shtetërore për Psikoterapi të Aplikuar dhe Këshillim në Athinë. Ajo thotë se prindërit nuk kanë nevojë të shqetësohen sepse rrallëherë fshihet një patologji pas këtyre maktheve.
Në çdo rast, ajo që prindërit duhet të bëjnë është të kujdesen që fëmijët e tyre të mos shikojnë programe të frikshme në TV ose lojëra video me përmbajtje dhune. Në vend të tyre duhet të lexojnë apo dëgjojnë histori të këndshme (sidomos para gjumit).
Po ashtu përpiquni të krijoni te fëmijët tuaj një mjedis të sigurt për të fjetur pa frikën e lëndimit ose ikjes nga vëmendja e prindërve.
Nëse kemi pyetje, mund të përpiqemi të pyesim dhe diskutojmë me fëmijët tanë se çfarë i shqetëson ata, por kryesisht për të vëzhguar nëse ata kanë sjellje të tjera të çuditshme në jetën e tyre të përditshme.
Ëndrrat e fëmijëve ndryshojnë shumë në varësi të gjinisë dhe moshës. Në çdo rast, hulumtimi ka treguar se fëmijët pëlqejnë të ndajnë ëndrrat e tyre, edhe nëse nuk janë aq të këndshme, kështu që është relativisht e lehtë të zbulosh se çfarë shohin në gjumë. Shpesh të vegjlit tregojnë se çfarë ëndrre kanë parë, sidomos kur ëndrra ka qenë e gëzueshme.
Ëndrrat e fëmijëve janë të pasura me fantazi dhe shumë të gjalla. Madje, të paktën deri në moshën 6 vjeç, pavarësisht nga fakti se ne mund t’u kemi thënë atyre shumë herë se ëndrrat nuk janë të vërteta, ajo që ndodh në gjumin e tyre ngatërrohet me realitetin që jetojnë.
Është shumë e zakonshme, veçanërisht për fëmijët më të vegjël nën 6 vjeç, që të shohin kafshë në gjumë. Djemtë ëndërrojnë më shumë për kafshët e egra, ndërsa vajzat për kafshët shtëpiake.
Gjithashtu, vajzat kanë ëndrra ku argëtohen ose udhëtojnë në natyrë, ndërsa djemtë jetojnë aventura në gjumë. Në adoleshencë, fëmijët shpesh ëndërrojnë të fluturojnë ose të notojnë.
Sa duhet të flenë fëmijët?
Gjumi ushqen fëmijët thonë shkencëtarët dhe kjo është mjaft e vërtetë. Hormoni i rritjes, i cili konsiderohet përgjegjës, ndër të tjera, për rritjen, në sasitë e tij më të mëdha sekretohet gjatë gjumit. Kjo është arsyeja pse foshnjat flenë rreth 18 orë në ditë dhe fëmijët deri në 12 vjeç kanë nevojë për shumë orë gjumë, rreth 11 në çdo 24 orë. /klea/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





