Transmetuar më 16-06-2021, 16:33

Agron Tare mohon akuzat dhe premton betejë. Vëllai i drejtorit të Lazio, Igli, mbron veten në raport me agjencinë AdnKronos dhe hedh poshtë akuzat e bëra nga programi televiziv “Report” i Rai3 në Itali. Sipas programit, dy vëllezërit kanë pasur marrëdhënie me botën e nëndheshme shqiptare dhe janë implikuar në një kompani bastesh.

“Gjithçka është gënjeshtër. Unë kurrë nuk kam pasur, në asnjë mënyrë, aksione në ndonjë kompani bastesh, apo marrëdhënie të çfarëdo lloji me personazhe të lidhur me qarqet kriminale. As nuk jam hetuar ndonjëherë nga zyra e prokurorit të Barit. Ajo që thanë gazetarët nuk është vetëm fyese për personin tim, por është gjithashtu në të njëjtën kohë aq absurde dhe shumë e rreme, sa përjashton ekzistencën e ndonjë mirëbesimi”, – thotë Tare dhe vijon:

“Ishte e mjaftueshme për të bërë disa kontrolle të vogla, të diktuara kryesisht nga mendja e shëndoshë dhe rregullat e gazetarisë për të vërtetuar këtë që po them unë. Kur nuk doni t’i thelloni gjërat, kjo zakonisht ndodh sepse i përshtatet dikujt. Vëllai im, Igli, mban pozicionin e drejtorit sportiv të Lazio dhe ky është motivi për këtë fushatë shpifëse. Është e qartë se ka palë të treta që kanë çdo interes për ta goditur atë. Ndoshta unë jam gabim, por sikurse ka thënë një i mençur i juaj i madh, të menduarit keq, aq më tepër shpifja, është mëkat i madh".

Agroni aktualisht mban pozicionin e Zëvendësministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme:" Unë jam shumë i zhgënjyer dhe i zemëruar që një transmetues publik mund të njollosë jetën e njerëzve drejtpërdrejt në TV, duke përcjellë mesazhe të rreme dhe shumë famëkeqe për shikuesit. Menaxhmenti i lartë i “Rai” nuk merr asnjë përgjegjësi për gazetarët e vet. Për më shumë se një vit e gjysmë unë kam shërbyer si Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe megjithatë nga “Report” paraqitem si konsull në Turqi, i përfshirë në një marrëveshje merkatoje në vitin 2020. Një figurë publike si unë është e thjeshtë për t’u verifikuar ku kam qenë dhe ku jam.

Shumë njerëz më kanë pyetur mbi këto thashetheme. Madje, edhe në nivel profesional, ekziston detyrimi për t’ia shpjeguar kushtet e çështjes përfaqësuesve të qeverisë ku bëj pjesë. Kjo nuk është diçka e këndshme. Kam përjetuar një ndjenjë të fortë shqetësimi dhe kam vuajtur nga kjo. Sidoqoftë, dëmi i vërtetë u pësua nga familja ime. Të shohësh dhimbjen në sytë e prindërve dhe vajzës sime të mitur është vuajtja më e madhe. Dinjiteti, nga ana ime, është i paçmuar. Dhe kur ofendohet falas, duke ndjekur një skemë shpifëse të thurur mirë, dhimbja dhe zemërimi janë shumë të forta.

Tani, mandati ligjor është për avokatin Ersi Bozheku, që do të ngrejë padi kundër “Report” dhe gazetarëve, që menjëherë nxituan të hidhnin baltë mbi mua dhe vëllain tim, si bashkëpunëtorë të një fushate të vërtetë shpifëse mediatike. Mbi të gjitha, unë kam ndërmend të marr masa kundër menaxhmentit të lartë të “Rai”, sepse e shoh të papranueshme që dikush mund të njollosë kaq lehtë një anëtar qeveritar të një vendi tjetër, pa patur kontrollin më të vogël mbi punën e punonjësve të tij". /fredi/noa.al