Transmetuar më 16-06-2021, 15:51

Bashkimi Evropian njoftoi sot se ka hequr kufizimet për Shqipërinë dhe 7 vende të tjera që kanë shifra të ulëta infektimi nga Covid-19. Ky vendim, gëzoi shume shqiptarë, por këtu ka një kleçkë. BE lë të hapur që secili shtet të veprojë në mënyrë individuale pavarësisht vendimi të përbashkët të 27 shteteve të Unionit.

Italia, rikujtoi pak ditë më parë se vazhdojnë kufijtë e mbyllur për udhëtime jothelbësore deri të paktën më 30 korrik 2021.

Nisur nga kjo, noa.al kërkoi nga Ambasada e Republikës së Italisë, një shpjegim se çfarë ka ndërmend të bëjë pala italiane.

Noa.al shtroi pyetjen se si do të veprojnë autoritetet italiane, nëse do ta zbatojnë apo jo vendimin e BE apo do të aplikojë praktika të tjera kufizimesh.

Ambasada e Italisë, në një përgjigje zyrtare për noa.al, thotë:

“Ju komunikojmë se vendimi i marrë ditën e sotme nga Bashkimi Evropian lidhur me heqjen e kufizimeve për Shqipërinë dhe një sërë shtetesh të tjera, duhet paraprakisht të përkthehet nga legjislacioni kombëtar i secilit prej shteteve anëtare dhe, deri në atë moment, do të vijojë të mbetet në fuqi ligji aktual”.

Ambasada nuk tha se sa kohë merr kjo procedurë, por zakonisht të tilla procedura marrin nga disa javë në disa muaj. /a.b/noa.al/