Transmetuar më 15-06-2021, 13:44

Nga Tirana në Rumani, për një hap më cilësor në karrierë. Ky ka qenë itinerari i radhës i kapitenit bardheblu deri dje, Idriz Batha.

Mesfushori energjik është prezantuar mbrëmë te UTA Arad. Ka qenë klubi në fjalë, ai që ka zyrtarizuar gjithçka: “Idriz Batha, një mesfushor qendror 29-vjeçar, është lojtar i yni.

Ai vjen me një histori mbresëlënëse, duke luajtur mbi 30 ndeshje në secilin prej shtatë sezoneve të fundit, pavarësisht nga ekipi ku është aktivizuar.

Në sezonet e fundit ka luajtur gjashtë ndeshje në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe tetë ndeshje në Ligën e Evropës. Ai, gjithashtu ka luajtur për Flamutarin, Partizanin dhe Besa në të kaluarën. Këtë verë u nda me Tiranën, ku ishte kapiten”.

Gjatë prezantimit, Batha tha fjalët e para si lojtar i UTA Arad: "Kam ardhur këtu kryesisht për familjen dhe për një sfidë të re, sepse është hera e parë që do të luaj jashtë.

Kam luajtur në Shqipëri për dhjetë vite, mendoj se kam bërë shumë mirë dhe tani dua një përvojë të re. Fola me Simon Rrumbullaku, i cili më foli shumë mirë për Rumaninë dhe UTA, veçanërisht për tifozët”. /fredi/noa.al