Transmetuar më 15-06-2021, 13:06

Ngjarja e zbuluar dy ditë më parë në rezervuarin e Gjançit në Korçë ku u gjet trupi i pajto i djalit 25 vjeeçar Fridman Xhaferraj është në fokusin e hetimeve të policisë dhe prokurorisë në rrethin e Lushnjës dhe atë të Korçës dhe sot kanë dalë detaje të reja për krimin e kryer.

I ndjeri ka qenë nën arrest shtëpie nën akuza për zjarrvënie. Më datë 24 maj, ai ka udhëtuar drejt Elbasanit. Atje është takuar me të dyshuarin Lulzim Spahia dhe bashkë me një person të tretë që policia e jep me inicialet K.B., kanë udhëtuar në drejtim të qytetit të Korçës.

Hetimi nxori se që të tre kanë qëndruar për tri net në një hotel në periferi të qytetit juglindor, bëjnë të ditur burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. Ky zbulim erdhi pasi në rrobat e viktimës u gjet kartëvizita e këtij hoteli.

I ndjeri u gjet i pajetë mbi ujë në rezervuar nga kalimtarë që njoftuan policinë. Kjo e fundit nxori trupin dhe e gjeti të lidhur. Ekspertiza mjekoligjore nxori se ai ishte dhunuar fizikisht deri në tortura dhe më pas ishte hedhur në ujë.

Që nga data 27 maj e deri më 13 qershor kur u gjet i ndjeri, nuk ka të dhëna për lëvizjet e tij ndërsa nuk është e qartë se sa ka qëndruar në rezervuar trupi i pajetë.

Policia dhe prokuroria thonë se Lulzim Spahia, tri ditë para se të takohej me Fridmanin, ishte shpallur në kërkim nga gjykata e Durrësit, si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Tani, ky 25 vjeçar bashkë me 26 vjeçarin me iniciale K.B, janë të dyshuar nga policia për veprën penale të vrasjes me dashje.

Viktima (në foto) u gjet me duar të lidhura dhe shenja dhune fizike e goditjesh me sende të forta. Dyshimet janë se dy autorët e dyshuar kanë rrëmbyer të riun lushnjar, e kanë dhunuar deri në vdekje dhe më pas e kanë hedhur në ujë të lidhur. /noa.al