Transmetuar më 12-06-2021, 18:19

Gerard Piqué iu është përgjigjur pyetjeve nga vetë drejtuesi i emisionit dhe ndjekësit, që shkruajtën gjatë 15 minutave, sa zgjati biseda.

Qendërmbrojtësi i Barçës nuk ka shmangur asnjë çështje, madje ka folur për tema të diskutueshme, të tilla si koha e tij me ekipin kombëtar spanjoll ose rivalitetin me Real Madridin. Pique gjithashtu i është referuar të ardhmes së tij si president i klubit katalanas, edhe pse për momentin mendon vetëm si futbollist.

“Unë gjithmonë kam qenë i ngazëllyer të jem president, megjithëse ende ndihem si futbollist dhe dua të vazhdoj të luaj. Ditën që do të ndalem së luajturi te Barça, do të tërhiqem nga futbolli. Nëse trajneri Koeman vjen dhe më thotë se nuk më beson më, karriera ime ka mbaruar. Unë largohem dhe asgjë nuk ndodh. Thjesht jam i apasionuar për të luajtur me Barçën, askënd tjetër. Është klubi i jetës time, ndaj asnjë ofertë tjetër nuk mund të më bëjë të ndryshoj mendim. Barcelona është e paçmuar për mua. Më shumë para nuk të japin lumturi, – tha Piqué. – Barcelona është shtëpia ime, por kur shkoj në Madrid askush nuk më ka sulmuar kurrë. Dhe Madridi do të duhej të ishte vendi më i keq në këtë kuptim. Unë kam qenë atje shumë herë dhe jo vetëm për të luajtur futboll. Gjithmonë kam ndeshur fytyra të mira dhe gjeste të mira. Dhe kjo duhet falënderuar. Një gjë është kur hyni në stadium dhe një gjë tjetër është jashtë”.

Kohët e kaluara, Piqué është ndjerë më i sulmuar.

Mbase kjo përkon me situatën në Katalonjë dhe rolin e tij si lojtar te Spanja.

Në këtë pikë, mbrojtësi qendror ka qenë shumë i qartë:

“Ka shumë njerëz në stadiume, por pastaj janë katër që të vërshëllejnë. Është një çështje e kaluar. Unë kam qenë në stadiume në të gjithë Spanjën dhe më kanë mirëpritur. Askush nuk ka të vërtetën absolute me vete. Unë nuk mbaj inat ndaj askujt. As kam marrëdhënie të keqe me askënd. Mundohem t’i respektoj të gjithë. Por, me kalimin e viteve bëheni më të pandjeshëm ndaj këtyre dukurive”. /fredi/noa.al