Transmetuar më 11-06-2021, 21:12

Një nga futbollistët më të mirë të Superiores në sezonin që u mbyll, Jasir Asani, i ka thënë lamtumirë Partizanit dhe futbollit shqiptar.

Sot paradite takoi presidentin e kuq, Gaz Demi, pastaj fluturoi për në Hungari, ku u prezantua tek ekipi i ri.

Ky itinerar, sipas lojtarit shqiptar nga Shkupi, bëhet për të mundësuar një hop më cilësor në karrierë dhe thirrjen në kombëtare, raporton noa.al.

Më konkretisht, Asani do ta vazhdojë karrierën e tij te Kisvárda, ai nënshkroi kontratën e tij të premten. Anësori 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka qenë pjesë e FK Partizani në Shqipëri që nga viti 2017.

Sezoni i tij i fundit ishte më i suksesshmi, kur u rendit ndër më të mirët në kampionat, me 30 gola dhe 8 asiste në 30 ndeshje.

Për faqen zyrtare të klubit të ri, idhulli i tifozëve të kuq, u shpreh: "Jam shumë i lumtur që do ta vazhdoj karrierën time te Kisvárda. Ndiej se është një hap përpara në karrierën time, të vazhdoj të luaj në Hungari. Kam pasur një sezon të mirë me Partizanin, shpresoj ta ndihmoj edhe ekipin tim të ri. Nga tani e tutje do të jem 100 për qind në gjendje ta tejkaloj produktin tim të mëparshëm, duke bërë më të mirën në kampionat sesa herën e fundit.

Unë fola me të gjithë kolegët që luajnë në ligën hungareze dhe u inkurajova prej tyre ta provoj veten këtu. Kam besim se edhe unë do të jem në gjendje të tërheq vëmendjen këtu dhe t’i bashkohem ekipit kombëtar të vendit tim”.